Nis zyrtarisht epoka post-Kuzhe, por pa trajner…
Lojtarët kuqezi janë grumbulluar ditën e djeshme në “Hotel Dyrrah” dhe prezentë kanë qenë pjesa më e madhe e tyre. Pasdite vonë është pritur edhe ardhja e legjionarëve të tjerë që kanë patur impenjime me klubet e tyre
Atmosferë e vakët dje në hotel “Dyrrah”, pikën e zakonshme të grumbullimit të kombëtares. Lojtarët takohen me njëri-tjetrin dhe shkëmbejnë fjalët e rastit. Pakëz rrëmujë, më shumë liri se zakonisht pasi mungon njeriu që duhet të udhëheqë grupin. Xhemal Mustedanagiç do të jetë ai që do të drejtojë skuadrën nga stoli, por Shqipëria vijon të mos ketë një lider të vërtetë. Kjo padyshim sjell njëfarë shpengimi në grupin kuqezi të pranishëm paraditen e djeshme në Durrës. Megjithatë, elementët që u paraqitën në konferencën e djeshme për shtyp, kërkuan medoemos që të jepnin mesazhin se tanimë bëhet fjalë për një tjetër histori, bëhet fjalë për një tjetër muzikë, ndonëse edhe ata vetë janë të paqartë se në çfarë partiturash do të luhet.
Andi Lila, ish-lojtari i Tiranës që u tranferua këtë verë te skuadra greke e PAS Janinës, i sheh miqësoret kundër Azerbajxhanit më 11 nëntor dhe Maqedonisë më 15 nëntor si pedana e eliminatoreve për Kupën e Botës që do të startojnë në shtatorin e vitit të ardhshëm. “Tani jemi në fazë tjetër, kur do të përgatitemi për eliminatoret e botërorit. Shpresoj që në ndeshjet miqësore me Azerbajxhanin dhe Maqedoninë, të bëjmë një figurë të mirë dhe të hedhim piketat për eliminatoret e ardhshme,” ka deklaruar kavajasi i Janinës.
Ansi Agolli rikthehet për herë të parë të flasë përpara mediave që pas kartonit të kuq ndaj Luksemburgut, që i kushtoi atij pezullimin në transfertën kundër Francës dhe përballjes së fundit në grup kundër Rumanisë në “Qemal Stafa”. Mesfushori është një njohës i mirë i futbollit azerbajxhanas pasi prej dy sezonesh aktivizohet në radhët e Karabakut, një prej skuadrave më të mira azere. Megjithatë, Agolli kërkon të sqarojë incidentin e Luksemburgut, një shkak i fortë që solli edhe humbjen pasi Shqipëria mbeti me 10 lojtarë. “ Gjej ratin që t’u kërkoj ndjesë shokëve dhe shqiptarëve për kartonin e kuq me Luksemurgun. Dy ndeshjet miqësore janë shumë të rëndësishme dhe tani ka nisur një erë e re pas largimit të trajnerit Kuzhe. Shpesoj që të japim më të mirën,” ka deklaruar këmbëshpejti, ish-lojtari i Tiranës.
Por lajmi në listën e publikuar së fundmi nga FSHF ka qenë edhe përfshirja e sulmuesit të Vllaznisë, Xhevahir Sukajt, që pas një sezoni të shkëlqyer dhe startit fantastic të kampionatit aktual, ka merituar të rithirret me fanellën kuqezi. Vetë Sukaj premton ta shpërblejë këtë besim nëse i jepet mundësia. “Grumbullimi kuqezi është privilegj për çdo futbollist. Kam qenë edhe disa herë në grumbullime, por ky rikthim do të më bëjë më të fortë dhe më profesionist. Jam këtu për të bërë më të mirën dhe për të dhënë maksimumin tim nëse më jepet mundësia,” e ka mbyllur konferencën e djeshme për shtyp talenti shkodran.