Teuta vazhdon ecurinë pozitive, fiton ndaj Vllaznisë në transfertë

TIRANË, 18 shtator/ATSH/ Ndeshja hapëse e javës së pestë të kategorisë Abissnet Superiore, ajo mes Vllaznisë dhe Teutës, u mbyll me fitoren e Teutës me rezultatin 2-0.
Teuta luajti sot më bukur dhe më e sigurt përballë shkodranëve, që duket se kanë hyrë në një krizë të thellë në këtë fillim kampionati.
Umejiego shënoi golin e parë në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, ndërsa rezultati u dyfishua me autogolin e Dumfur në minutën e 51-të.
Me këtë fitore Teuta vazhdon e vetme në krye të renditjes, me 13 pikë të realizuara në pesë javë. Ndërsa Vllaznia mbyll renditjen me vetëm 2 pikë në po kaq ndeshje.
Të shtunën do të zhvillohen dy takimet e tjera. Vora pret Skënderbeun në shtëpi në ora 16:00, ndërsa një përballje mjaft interesante do të luhet në “Elbasan Arena”, në 18:30, mes Dinamo City – KF Laçi.
Ndërkaq, të dielën Tirana do të përballet me Elbasanin në kryeqytet në ora 16:00 ndërsa sfida mbyllëse e kësaj jave do të luhet mes Egnatias dhe Partizanit në “Arena Egnatia”, duke nisur nga ora 18:30.
