E Diel, 1 Nëntor 2026

OKB: Shqipëria shënon përparim në objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm

TIRANË, 18 shtator /ATSH/ Shqipëria po shënon përparim në përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG), u shpreh Koordinatorja e Përhershme e OKB-së në Shqipëri, Ingrid Macdonald, pas përfundimit të aktivitetit të OKB-së “SDGMoment 2026” në Nju Jork.

Macdonald tha se Shqipëria ka rikonfirmuar angazhimin për përshpejtimin e progresit drejt Agjendës 2030, me synimin që përfitimet e zhvillimit të arrijnë te të gjithë qytetarët.

Sipas të dhënave të bëra publike nga OKB-ja, niveli i varfërisë në Shqipëri është ulur nga 23,7% në 19%, ndërsa vdekshmëria e fëmijëve nën pesë vjeç është përgjysmuar. Mbi 95% e shërbimeve publike ofrohen tashmë online, ndërsa pjesa dërrmuese e energjisë elektrike prodhohet nga burime të rinovueshme.

Në aspektin e përfaqësimit politik, gratë zënë 35% të vendeve në Kuvend dhe afro 50% të posteve ministrore. Shqipëria renditet gjithashtu në vendin e 44-t në botë në Indeksin e SDG-ve për vitin 2026.

Në aktivitetin e zhvilluar në Nju-Jork mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, i cili, sipas OKB-së, theksoi rëndësinë e Agjendës 2030 dhe reformave të lidhura me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

OKB-ja vlerësoi gjithashtu investimin e qeverisë shqiptare në Fondin për Përshpejtimin e SDG-ve në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një angazhim për përkthimin e objektivave të zhvillimit në rezultate konkrete për qytetarët dhe komunitetet.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›