E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teuta, vjen fitorja e parë, mund Apoloninë 2-1

Pas pesë javësh “agjërim” erdhi më në fund edhe fitorja e parë e Teutës në sezonin 2008-2009. Një fitore bindëse 2-1 kundër Apolonisë në “Tofik Jashari”, në ndeshjen hapëse të javës së 6-të të Superligës.

“Janë tri pikë të çmuara, - tha trajneri i Teutës, Sulejman Starova pas ndeshjes, - dominuam në pjesën e parë, ndërsa në të dytën luajtëm pak më të ndrojtur”.

Për formacionin durrsak shënuan Hysa (13’) e Jakupi (34’), ndërkohë që për fierakët shkurtoi diferencën serbi Bërkiç në minutën e 73-të. Me një kryevepër nga goditja standarde.

“Takimi mund të përfundonte edhe 3-1, por u kujdesëm të merrnim pikët e plota, dhe kjo ishte më rëndësishmja”, - shtoi ish-trajneri i Partizanit.

Teuta (6 pikë), duket se bëri një hap të madh për të dalë nga “ferri” i vendeve të fundit, duke pasur pas vetes tashmë Besën, Partizanin, Bylisin e Lushnjën (nga një ndeshje më pak).

“Pikët që kemi marrë nuk janë të pakta, pasi në këto javë jemi përballur me katër ekipet pretendente për titull. E kam përsëritur dhe herë të tjera se kemi bërë lojë të pëlqyeshme dhe se fitorja do të vinte”, - theksoi me qetësinë e tij “Bobi”.

Për Apoloninë, pas fitores befasuese në kryeqytet me Partizanin (0-1), kjo ishte humbja e tretë në gjashtë javë.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA 6

03.10.2008

Teuta-Apolonia 2-1

13 Hysa, 34 Jakupi /73’ Berkiç

NDESHJET E TJERA

Besa - Elbasani

Shkumbini - Lushnja

Dinamo - Vllaznia

Bylis - Tirana

Flamurtari - Partizani

E Premte, 03 Tetor 2008

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›