Tevez: Me Mançinin shkojmë larg
Sipas sulmuesit argjentinas, tekniku italian është në gjendje t’i japë lojës së ekipit ndryshueshmëri, për t’u përshtatur më lehtë me situatat e dëmtimeve apo në varësi të kundërshtarit. “Ai mund të ndryshojë mënyrën e lojës edhe gjatë ndeshjes, prandaj të gjithë duhet të jenë të gatshëm të bëjnë atë që do ai”, u shpreh 25-vjeçari për “Sky Sports”.Tevez shtoi më tej se atmosfera në ekip pas fitoreve të fundit është pozitive, duke nënvizuar se ka konkurrencë midis lojtarëve për të zënë vend në formacion. “Të gjithë donin t’i bënin përshtypje pozitive trajnerit të ri kur ai erdhi këtu dhe nuk është shumë e lehtë të gjesh vend në formacion, sepse ka shumë futbollistë që mund ta zënë vendin”, theksoi argjentinasi.