E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Asgjë nuk do pengojë shtrirjen e EULEX-it

Kryeministri kosovar Hashim Thaçi është shprehur se nuk do të ketë pengesë që do të mund të ndalojë zgjerimin e EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës, duke përfshirë edhe veriun. Thaçi e bëri këtë deklaratë pas takimit me ministren suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Gunilla Karlson. Kreu i qeverisë së Kosovës tha se është momenti që të gjithë duhet t'i japin mbështetje të plotë shtrirjes së EULEX-it në gjithë territorin e vendit dhe po ashtu të gjithë duhet ta dinë se nuk do të ketë asnjë pengesë që do të mund ta ndalojë këtë proces. "Ky proces duhet të përcillet përmes një dialogu paqeje dhe stabiliteti. Nuk do të ketë vend për ekstremistë radikalë, struktura paralele apo jolegjitime. Ligji do të funksionojë në gjithë territorin e Kosovës edhe në veri, EULEX do të jetë edhe atje që ditën e parë", theksoi kryeministri Thaçi, duke i'u referuar incidentit të së mërkurës në Mitrovicë. Gjithashtu edhe ministrja suedeze Karlson tha se shpreson se EULEX do të mund të vendoset pa dhunë. "Unë shpresoj dhe besoj se EULEX do të mund të vendoset pa dhunë, por duhet të jemi të vendosur se ky mision nuk duhet të jetë vetëm për një pjesë të Kosovës, por për tërë Kosovën", u shpreh ministrja Karlson.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›