Thaçi: BDI-ja nuk ka realizuar asgjë për shqiptarët

Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi ka vazhduar akuzat e ashpra në adresë të partisë shqiptare në pushtet.
Sipas tij, partia e Ali Ahmetit për 10 vite me radhë sa është aktive në skenën politike në Maqedoni, nuk ka bërë asgjë për shqiptarët.
“BDI duhet të jep përgjigje për shumë probleme që tangojnë shqiptarët e Maqedonisë. Pse 10 vjet nuk e bënë gjuhën Shqipe gjuhë zyrtare, pse 10 vjet flamurin shqiptar nuk e bënë zyrtar dhe të kenë të drejtë gjithë shqiptarët ta përdorin këtë flamur, pse 10 vjet nuk e rregullon statusin e pjesëmarrësve në konfliktin e 2001, pse gjatë 10 vjetëve nuk arritën të marrin pak ma shumë se 1 për qind të buxhetit dhe jo më 30 për qind. Pse lejohet që në enciklopedi të na fyejnë neve si shqiptarë, pse mundësuan që pamjet e Shkupit të jenë paradoksale, ku ka maqedonas ka asfalt, ku ka maqedonas ka kanalizim, ku ka maqedonas ka çerdhe, ka parqe, ka institucione shumë të bukura dhe ku ka maqedonas gjithçka funksionon në rregull, ku ka shqiptarë s’ka asfalt ka lloç e baltë, s’ka ujë, s’ka kanalizime, s’ka drita, nuk ka investime dhe nuk objekte shkollore ku mund të zhvillohet një proces arsimor ashtu si duhet etj, “ deklaroi Thaçi, raporton ina.
Ai theksoi se PDSH është lëvizja e shqiptarëve të Maqedonisë e cila do të vazhdojë të punoj për përmirësimin e statusit të shqiptarëve në këtë shtet.
“PDSH-ja është lëvizja e shqiptarëve të Maqedonisë, 20 vjet rezistencë 20 vjet qëndresë kjo është bërë për arsye se ne kemi pas politikë shumë të drejtë kombëtare, sulmet që i bëhen kësaj partie janë sulmet që i bëhen çështjes shqiptare”, u shpreh Thaçi./Indeksonline/