E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Marrëveshja ka filluar të zbatohet

Kryeministri Hashim Thaçi, ka theksuar se është jashtëzakonisht me rëndësi që procesi i implementimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, ka filluar së implementuari me agjendë të plotë.

“Tanimë lëvizja e lirë ka shënuar progres. Policia dhe doganierët e Kosovës lëvizin lirshëm dhe shkojnë në pikën 1 dhe 31, dhe me ekipet tjera ndihmëse. Ka filluar së implementuari në tërësi marrëveshja e menaxhimit të integruar të kufirit, që është standard evropian. Ka mbetur të punohet më tepër në eliminimin e plotë të të gjitha barrikadave , kanë mbetur edhe dy të tilla që duhet të largohen. Kjo do të ndodh në konsultim të ngushtë edhe me komunitetin vendor por edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë” , tha Thaçi në mbledhjen e Qeverisë.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, Kryeministri Thaçi ka informuar kabinetin qeveritar se është duke punuar maksimalisht me bashkësinë ndërkombëtare, por edhe me komunitetin lokal në veri që të përgatiten sa më mirë zgjedhjet e tre nëntorit.

“Unë edhe sot, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i ftoj të gjithë qytetarët për pjesëmarrje në zgjedhje. Ftoj gjithë spektrin politik, edhe në veri, që të rris kujdesin për pjesëmarrje në zgjedhje, që të organizohen në subjekte politike, apo lëvizje qytetare, apo shoqata apo mekanizma tjerë që dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje. Ne i kemi bërë ftesë edhe bashkësisë ndërkombëtare për përcjelljen, vëzhgimin dhe monitorimin e tërë procesit. Një ftesë të tillë i kam bërë edhe baroneshës Ashton, në takimin e fundit që e kemi pasur në Prishtinë, që Bashkimi Evropian, mundësisht OSBE-ja apo ODIHR-i, të bëjë një vëzhgim dhe monitorim nga afër të gjithë procesit elektoral edhe në veri por edhe në gjithë hapësirën e territorit të Kosovës, sepse është një provim jashtëzakonisht i rëndësishëm edhe për ne, që zgjedhjet lokale të jenë fer, të lira, demokratike, të konkurrencës dhe të standardit evropian” – potencoi kryeministri Thaçi.

Projektligji i parë, i cili është miratuar sot nga Qeveria e Republikës së Kosovës, është Projektligji për Investimet e Huaja.

Projektligji për Institutin e Kosovës për Administratë Publike, i miratuar në mbledhjen e sotme, ka për qëllim rregullimin e organizimit, funksionimit dhe përgjegjësitë e Institutit të Kosovës për Administratë Publike, është miratuar në mbledhjen e sotme nga Qeveria e Kosovës. Instituti i Kosovës për Administratë Publike është përgjegjës për zbatimin e politikave dhe strategjive të trajnimit, arsimimit dhe zhvillimit të kapaciteteve të Shërbimit Civil.
Në mbledhje është miratuar edhe Rregullorja për punën e komisionit për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror.

Me këtë Rregullore përcaktohet mënyra e punës, organizimit, fushëveprimi dhe funksionimi i këtij komisioni. Komisioni është krijuar në pajtim me Ligjin për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror. Kabineti qeveritar ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për zhvillimin e procedurave ligjore për themelimin e Komunës së Zhegrës, bazuar në Kreun II të Ligjit për Kufijtë Administrativ të Komunave, si dhe kërkesën e parashtruar nga Bashkësia e Fshatit Zhegër.

Sot është miratuar edhe Strategjia për Mbrojtjen e Mjedisit, e cila duhet të konsiderohet si pjesë e strategjisë afatgjate për zhvillimin e vendit. Zhvillimi social dhe ekonomik mund të shkojnë krahas me një mjedis të shëndoshë.
Qeveria ka vendosur që në programin legjislativ për vitin 2013 të shtohet hartimi i 9 (nëntë) projektligjeve të reja, të ndryshoi afatin e hartimit dhe miratimit të 14 (katërmbëdhjetë) projektligjeve të programit legjislativ dhe ka heq nga program 4 (katër) projektligje. Qeveria e Kosovës ka shqyrtuar Raportin Vjetor për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin për organizatat buxhetore të Republikës së Kosovës për vitin 2012. Raporti përmbush obligimet dispozitat ligjore të ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësive.

Në mbledhjen e sotme, qeveria ka marrë vendim që Flutura Hoxha të emërohet në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Pronës Industriale.

Qeveria, në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejshëm të kërkesës për shpronësim dhe krijim të të drejtës së servitutit sendor për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat ndodhen në zonat kadastrale të komunave Prishtinë dhe Obiliq dhe të cilat preken nga ndërtimi i trasesë për vendosjen e tubacioneve të ngrohjes nga Ndërmarrja Publike “Termokos”.

Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, ka informuar kabinetin qeveritar me procesin e implementimit të projektit për ndërtimin e rrugës nacionale 6, Prishtinë-Hani i Elezit. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›