E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Me marrëveshjen Kosovë-Serbi ka fituar paqja

PRISHTINE – “Me marrëveshjen e Brukselit, Kosovë-Serbi ka fituar paqja, stabiliteti dhe integrimi euroatlantik i rajonit”, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në takimin vjetor të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në Stamboll.

"Vitin e kaluar kemi filluar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, dialog ky i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, përkatësisht Baronesha Ashton, si dhe i mbështetur nga SHBA-të. Muajin e kaluar kemi arritur marrëveshjen, që do ta cilësoja si historike, e arritur për herë të parë pas një shekulli armiqësie dhe konflikti në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë", përkujtoi ai fillimisht.

Normalisht, vijoi Thaçi, "nuk ka qenë proces i lehtë, se ka pasur momente të vështira, por e rëndësishme është që kemi arritur të shtyjmë përpara interesat e qytetarëve dhe vendit tonë, mbi të gjitha kemi hapur kapitullin e ri, atë të bashkëpunimit, evropianizimit të Kosovës dhe Serbisë, edhe të rajonit, pra me nënshkrimin e marrëveshjes ka fituar paqja, stabiliteti dhe integrimi euroatlantik i rajonit".

"Gjithashtu dua të theksoj se me këtë marrëveshje është hapur rruga për njohje të reja për vendin tonë, prandaj kërkoj nga vendet që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, ta bëjnë këtë”, u shpreh kryeministri kosovar.

Kosova, tha Thaçi, përfundimisht me marrëveshjen e arritur po hyn në epokën e normalitetit, sepse me shtrirjen e rendit dhe ligjit në çdo cep të shtetit tonë, do të kemi mundësi më të mëdha për investime, zhvillim dhe punësim, por edhe për krijimin e ambientit demokratik dhe shumetnik.

"Tani Kosova duhet të kanalizojë të gjitha përpjekjet dhe energjitë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në përmbushjen e reformave demokratike. Rruga drejt BE-së do të jetë e gjatë dhe do të kërkojë transformime rrënjësore. Tani e tutje, ky do të jetë prioriteti ynë kryesor”, tha kreu i qeverisë kosovare, Thaçi.

Në takimin vjetor të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që filloi dje punimet në Stamboll, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka përshëndetur këtë takim, duke falënderuar përfaqësuesit e shteteve që kanë votuar për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në BERZH.

(er.nu/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›