Thaçi: Zhegra do të jetë një nga komunat më afirmative

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka vizituar sot fshatin Zhegër të komunës së Gjilanit, ku i uroi banorët e këtij lokaliteti për themelimin e komunës së re.
“Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për themelimin e Komunës së Zhegrës është vendimi juaj, është vullneti juaj, është zemra juaj, është amaneti i dëshmorëve të lirisë, është vizioni i fëmijëve tuaj që Zhegra të jetë Komunë, në mënyrë që të jetë përfituese e drejtpërdrejtë e fondeve nga Qeveria e Kosovës”, tha Thaçi.
Në këtë kuadër, Kryeministri Thaçi ka potencuar se “Komuna e Zhegrës do të jetë një nga komunat më afirmative në Republikën e Kosovës, sepse ka mundësi, e ka botën intelektuale, e ka botën e biznesit, e ka bazamentin e fuqishëm për zhvillim”.
“Të jeni të sigurt se nga sot ju për ju dhe Zhegrën, për juve si qytetarë fillon një kapitull i ri, fillon një etapë e re, fillon zhvillimi i Zhegrës së re, fillon zhvillimi i fuqishëm, por edhe mundësi për krijimin e vendeve të reja të punës. Nga sot fillon histori e re për ju. Prandaj, unë ndihem i privilegjuar dhe krenar që jam këtu së bashku me bashkëpunëtorët e mi për të uruar komunën e re”, ka deklaruar Thaçi./Indeksonline/