SHARRCEM: Nuk kemi ri-aplikuar dhe nuk jemi refuzuar për masa mbrojtëse

“Në numrin e datës 13 Korrik 2012 të një gazete ditore është shtrembëruar e vërteta mbi procesin e aplikimit, përkatësisht refuzimit të masave mbrojtëse për tregun e çimentos në Kosovë, me ç’rast për hir të transparencë dëshirojmë të informojmë publikun se Sharrcem nuk ka ri-aplikuar për masa mbrojtëse, përkatësisht nuk është refuzuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë!”, thuhet në një reagim të Sharrcem.
Përmes një reagimi me shkrim, fabrika e vetme për prodhimin e çimentos në Kosovë, ka mohuar lajmin e botuar në një gazetë kosovare si dhe në disa portale elektronike, ku thuhet se Sharrcem ka aplikuar sërish për masa mbrojtëse nga importi i çimentos dhe kjo kërkesë i është refuzuar nga MTI’ja.
“Aplikacioni për masa mbrojtëse është bërë me 4 Maj të vitit 2012 dhe ky aplikacion ende është i hapur sepse vendimi përfundimtar për masat mbrojtëse nuk është marrë nga ana e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. MTI vitin e kaluar me datën 11 qershor 2012, ka marrë vendim për marrjen e masave të përkohshme mbrojtëse në importin e çimentos, vendim i cili është tërhequr gjatë Gushtit të vitit 2012, ndërsa kërkesa ka qenë dhe vazhdon të jetë për një periudhë 4 vjeçare, përkatësisht për masa mbrojtëse të parapara sipas ligjit”, thuhet në reagimin e Sharrcem.
Fabrika Sharrcem konsideron se rasti i vitit të kaluar nuk ka përfunduar meqë tregu i çimentos vazhdon të mos jetë stabil.
“Këtë e dëshmojnë të dhënat dhe raportet të cilat këta të fundit, në mënyrë të vazhdueshme ua prezantojnë përfaqësuesve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë si dhe institucioneve të tjera relevante. Me këtë rast, përfaqësuesit e Sharrcem theksojnë se nuk kanë ri-aplikuar për masa mbrojtëse, përkatësisht nuk janë refuzuar nga MTI, mirëpo janë në pritje të përgjigjes përfundimtare për aplikimin e masave mbrojtësë për një periudhë 4 vjeçare, kërkesë kjo e bërë vitin e kaluar”./Indeksonline/