E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi e Daçiq vazhdojnë të mërkurën dialogun

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, pritet të vazhdojnë të mërkurën në Bruksel raundin e ri të bisedimeve me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton.Zbatimi i marrëveshjeve të deritashme, diskutimi për organizimin e zgjedhjeve lokale, me theks të veçantë në komunat në veri të Kosovës si dhe formimi i asociacionit të komunave serbe, pritet që të dominojnë agjendën e takimit Thaçi – Daçiq.

Se tema e zgjedhjeve do të trajtohet në takimin e 24 korrikut në Bruksel, këtë e ka konfirmuar edhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq gjatë një adresimi para mediave në Beograd.

“Çështja e zgjedhjeve, ajo se çfarë duhet të bëhet që të ruhet neutraliteti në raport me statusin e Kosovës, pastaj çështja e kandidimit, votimit si dhe formimi i bashkësisë apo asociacionit të komunave serbe do të jenë tema të diskutimit”, ka thënë kryeministri serb Daçiq, transmeton radio Evropa e Lirë.

Lidhur me sfidat e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit ka folur edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai ka thënë se kjo marrëveshje nuk mund të quhet e mirë, por paraqet një optimizëm që shteti i Kosovës të mund të shtrijë autoritetin e vet edhe në atë pjesë.

“Nuk mund ta quajmë marrëveshjen e mirë dhe të lehtë në zbatim. Ajo i ka sfidat e veta. Por, megjithatë kemi një optimizëm se mund të zbatojmë rendin dhe ligjin në veri, që nënkupton përgatitjen e zgjedhjeve dhe kthimin e veriut në një normalitet”, ka thënë Haradinaj.

Përveç çështjeve kryekëput politike, kryeministrat Thaçi e Daçiq pritet të diskutojnë sërish edhe çështjen e telekomit dhe energjisë.

Kryeministri Hashim Thaçi ka paralajmëruar se Kosova, për faktin që nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, mund të merr kodin e vet ndërkombëtar +383 nga një vend evropian i cili do të aplikonte tek Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit – ITU, dhe më pas do t’ia falte këtë kod Kosovës.

Sidoqoftë, bisedimet në nivel të kryeministrave si dhe ato në nivele teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, pritet ët jenë intensive gjatë gjithë verës. Këtë e pati deklaruar vet Baronesha Catherine Ashton e cila u ka kërkuar palëve që t’i zbatojnë zotimet e marra me marrëveshjet e arritura./Indeksonline./
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›