Thaçi e do patjetër komunë Kodrën e Trimave!

Përderisa kryeministri Hashim Thaçi pretendon se ka kërkesa të shumta nga banorët e Lagjes “Kodra e Trimave” për t’u bërë komunë, të kundërtën e thotë Ministria e Administratës dhe e Pushtetit Lokal, e cila deri tashti nuk ka pranuar ndonjë kërkesë zyrtare nga banorët e kësaj lagjeje. Zyrtarja për informimin në Ministrinë e Administratës dhe Pushtetit Lokal, Lumnije Demi, ka konfirmuar nëpërmes telefonit për KTV se deri tashti kjo ministri nuk ka pranuar ndonjë kërkesë nga banorët e kësaj ane, të cilët shprehin dëshirën për t’u bërë komunë. E idenë për krijimin e lagjes “Kodra e Trimave” si komunë në vete nuk po e mbështesin as vetë banorët e kësaj lagjeje, të intervistuar nga Kohavisioni. Sipas tyre, kjo lagje nuk ka nevojë për ndarje të tilla, ngaqë është pjesë e Prishtinës. Ndërkaq, zyrtarët e LDK-së, thonë se Thaçin e ka kapluar paniku nga humbja, të cilën, sipas tyre, e ka të sigurt. Kryeministri Hashim Thaçi kishte kërkuar në mbledhjen e djeshme të qeverisë nisjen e procedurave ligjor, në mënyrë që të bëhet komunë edhe “Kodra e Trimave”.
Lëvizja për Bashkim vlerëson se dy partitë më të mëdha në vend, PDK-ja dhe LDK-ja, po tallen me Prishtinën. “Qeveria e Kosovës ka iniciuar ditëve të fundit krijimin e komunave të reja në Kosovë. Këto nisma, duke ardhur në prag të zgjedhjeve lokale në Kosovë, kanë hapur debate, të cilat janë duke kulmuar me propozimin e kryeministrit Thaçi për themelimin e Komunës së Kodrës së Trimave dhe reagimet kundër këtij propozimi të të parit të Prishtinës dhe të LDK-së, Isa Mustafa. Lëvizja për Bashkim konsideron se PDK-ja dhe LDK-ja janë fajtoret kryesore për gjendjen e rëndë të kryeqytetit.
Përderisa partia në pushtet vazhdon të mbrojë vendimet e kryeministrit Thaçi për themelimin e komunave të reja, me këtë nuk po pajtohen assesi LDK-ja dhe “Vetëvendosje”. Deputetja e LDK-së, Lirie Kajtazi, ka thënë se në vend që kryeministri Hashim Thaçi të merret me fshatrat kufitare, në të cilat çdo ditë cenohet territori i Kosovës nga xhandarmëria serbe, sipas saj, ai po mundohet të themelojë komuna të reja. Ndërsa, Glauk Konjfuca nga “Vetëvendosje”, vendimet e Qeverisë për formimin e komunave të reja i ka quajtur kartën e fundit të qeverisjes Thaçi. Sipas tij, tërë kjo po ndodh për shkak se kësaj qeverie i janë harxhuar premtimet për asfalt. Gjatë seancës janë ngritur shqetësime nga ana e deputetëve rreth migrimit ilegal. Deputeti Imri Ahemti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se është shqetësuese largimi i të rinjve nga vendi, por më shqetësuese, sipas tij, janë deklaratat e pushtetarëve, të cilat i ka quajtur irituese. /Indeksonline/