E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi fton zyrtarisht serbët të votojnë më 3 nëntor

PRISHTINE- Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, zyrtarisht në emër të qeverisë i ka ftuar serbët që të marrin pjesë në zgjedhjet e 3 nëntorit. Thaçi në mbledhjen e ekzekutivit që e ka mbajtur të mërkurën deklaroi se pjesëmarrja në zgjedhje e të gjitha komuniteteve është një mundësi e mirë për të gjithë qytetarët dhe të ardhmen e tyre.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se nga baronesha Catherine Ashton me rastin e këtyre zgjedhjeve ka kërkuar ekipe vëzhguese në ditën e votimi.

“Pjesëmarrja e tyre në zgjedhje është një mundësi e re, është një garanci e përbashkët se do ta ndërtojmë Kosovën tonë bashkërisht”, tha Thaçi.

Kurse, drejtuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, thonë se organizimi i zgjedhjeve në veri të Kosovës do të jetë një sfidë për KQZ-në dhe institucionet e tjera, pasi që në atë pjesë të vendit për herë të parë pritet të marrin pjesë partitë politike serbe.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdeta Daka, tha se zgjedhjet në veri do të organizohen nga KQZ-ja dhe do të ndihmohen nga OSBE-ja.

“Natyrisht që është sfidë se për herë të parë organizohen zgjedhjet atje. Është situata specifike politike në atë pjesë. Natyrisht që ka ndërhyrje të ndryshme. Mos të ishte situata specifike ne nuk ish dashur që në të bashkëpunojmë as më OSBE-në, as të lidhet marrëveshje me Serbinë, as asgjë. Po të ishte si pjesa tjetër e Kosovës, shumë më lehtë do të ishte”, tha Daka.

Ajo ka sqaruar se OSBE-ja, në masë të madhe do të ndihmojë në votimin jashtë Kosovës.

“OSBE-ja do ta ketë një rol të cilin e ka pasur edhe më herët. Ne vitin 2009 OSBE-ja ka ndihmuar ka bërë mbledhjen apo grumbullimin e fletëvotimeve të cilat i kanë plotësuar qytetaret që jetojnë jashtë Kosovës dhe që i kanë plotësuar kushtet të votojnë”, tha Daka.

Autoritetet kosovare kanë shprehur bindjen se zgjedhjet e nëntorit do të jenë të suksesshme.
(m.a/rel/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›