Thaçi i raporton Jahjagës për dialog

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga priti në takim kryeministrin e vendit, Hashim Thaçi, të shoqëruar nga koordinatori Blerim Shala.
Kryeministri dhe koordinatori e njoftuan Presidenten për raundin e shtatë të dialogut që po zhvillohet në Bruksel dhe për pritjet për vazhdimin e dialogut më 2 prill, thuhet në komunikatën e Presidencës.
Thaçi tha se qëndrimi i palës kosovare është i qartë dhe se në dialog kanë hyrë në mënyrë që ky proces të jetë i suksesshëm dhe që të arrihen marrëveshje që janë në interes të gjithë qytetarëve, në interes të paqes dhe stabilitetit dhe në interes të normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete sovrane dhe të pavarura.
“I gjithë dialogu po zhvillohet në atmosferë konstruktive dhe nën udhëheqjen shumë të mirë të baroneshës Ashton, Përfaqësuese e lartë e Bashkimit Evropian për Siguri dhe për Politikë të jashtme”, citohet të ketë thënë Thaçi.
Kryeministri theksoi se procesi i dialogu hasi në vështirësi të caktuara dhe se për të pasur sukses në vazhdimin e dialogut që do të zhvillohet më 2 prill në Bruksel duhet vullnet dhe konstruktivitet.
Ndërkaq, presidentja jahjaga i dha mbështetje kryeministrit Thaçi në gjithë procesin e dialogut që po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe që sipas saj, ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Presidentja vlersoi se tashmë të gjithë e kanë të qartë se dialogu nuk po zhvillohet për çështjen e statusit dhe se të gjitha marrëveshjet janë në harmoni me kushtetutën dhe me ligjet e shtetit të Kosovës, dhe që ndihmon të dyja vendet në rrugën e integrimeve evropiane./Indeksonline/