E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi informoi kryesin për takimin më ministrin serb Daçiq

(E plotësuar) Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen konstituive të Kryesisë se dalë nga zgjedhjet e Konventës VI zgjedhore.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, njëkohësisht kryetar i PDK-së, Hashim Thaçi ka informuar Kryesinë e kësaj partie për rrjedhat e rezultatet e takimit në Bruksel me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e SHBA-ve.
Thaçi, siç theksohet në një komunikatë për media të PDK-së, ka theksuar se Republika e Kosovës po ecën drejt funksionalitetit të shtetit demokratik dhe brenda një periudhe të shkurtër Qeveria do të vendosë sundimin e rendit dhe ligjit edhe në atë pjesë të Kosovës, si dhe do të shpërbehen të gjitha strukturat ilegale të sigurisë.
Thaçi theksoi se së shpejti në atë pjesë të Kosovës do të funksionalizohet sistemi i drejtësisë sipas legjislacionit të shtetit të Kosovës.
“Do të formohet asociacioni i komunave me shumicë qytetare serbe, sipas Planit që parasheh Dokumenti i Presidentit Ahtisaari, Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës. Do të mbahen zgjedhjet e lira sipas ligjeve të Kosovës në katër komuna në veri, me organizmin dhe menaxhimin e OSBE-së, më së largu në vjeshtë të këtij viti. Do të formohet asociacioni i komunave me shumicë serbe, sipas planit që parasheh Dokumenti i Presidentit Ahtisaari, Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës”.

Kryeministri Thaçi theksoi se të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që jetojnë ne atë pjesë të Kosovës, do t’ju ofrohet një e ardhme dhe perspektivë e sigurt, për çka i fton qytetarët që jetojnë atje: serbë, shqiptarë, boshnjakë etj., që të fillojnë integrimin në institucionet tona.
Po ashtu Thaçi ka ritheksuar se çdo marrëveshje e arritur në Bruksel do të jetë në përputhje të plotë me Pakon e Ahtisaarit, Rezolutën e Kuvendit si dhe Kushtetutën e Republikës se Kosovës.

Gjithashtu, sipas tij, për të gjitha këto çështje do të ketë afate kohore dhe mekanizma implementues, ku rol të rëndësishëm për krijimin e ambientit të sigurisë, lëvizjes së lirë, sundimin e rendit dhe të ligjit do të kenë KFOR dhe EULEX-i dhe institucionet e Kosovës.

“Në takim u diskutua edhe çështje organizative, të vazhdimit të reformave dhe të funksionalizimit të PDK-së”, përfundon komunikata.

........................

Ka filluar mbledhja e parë e Kryesisë së re të Partisë Demokratike të Kosovës.
Takimi ka filluar rreth orës 13:30.

Në këtë mbledhje konstituive nuk po merr pjesë anëtari i këtij organi partiak Jakup Krasniqi, ndërkaq mungesa e Fatmir Limajt bëhet për arsye tashmë të ditura.
Ndryshe të gjithë anëtarët e Kryesisë janë prezentë në selinë e partisë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›