E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi:Eulex-i fillon në 9 dhjetor

Eulex do të fillojë funksionimin në tërë Kosovën në 9 dhjetor
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka paralajmëruar se misioni evropian për sundim të ligjit, EULEX do të funksionalizohet në mbarë vendin më 9 dhjetor. Më herët ishte paralajmëruar që misioni evropian do të fillonte punën sot, por një zëdhënëse e këtij misioni në Prishtinë, Karin Limdal ka thënë se funksionalizimi i EULEX-it do të bëhet brenda pak ditësh.
Nuk janë dhënë shpjegime për këtë shtyerje njëjavëshe. Sipas zëdhënëses Limdal, deri në fund të dimrit, misioni evropian për Sundim të Ligjit do të jetë funksional në tërë Kosovën, përfshirë veriun e banuar me shumicë serbe, ku kundërshtimet për vendosjen e EULEX-it kanë qenë më të mëdha.
Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi ndërkaq ka thënë se EULEX-i do të ketë kuptim vetëm nëse që në ditën e parë të punës së tij, do të zbarkojë edhe në veri të Mitrovicës. Por ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq ka thënë se shtrirja e EULEX-it në vendbanimet serbe nuk do të bëhet aq shpejt si në pjesët tjera të Kosovës. Pak ditë pas miratimit të deklaratës presidenciale në Këshillin e Sigurimit, me të cilën iu hap rruga funksionalizimit të misionit evropian në tërë territorin e Kosovës, kryeministri Thaçi kërkoi që EULEX-i ta ushtrojë autoritetin e tij në përputhje me Kushtetutën e vendit edhe në Kosovën Veriore, të banuar me shumicë serbe. "Ky mision do të ketë kuptimin vetëm nëse në ditën e parë fillon të instalohet edhe në veri të Mitrovicës. Nëse EULEX nuk fillon instalimin në veri po atë ditë, që ditën e parë, atëherë dua të them se këtij misioni i humb kuptimi. Institucionet e Republikës së Kosovës do të kenë qëndrim shumë kritik dhe mënyra e të vëzhguarit të situatës apo e sjelljes oportune do të jetë e papranueshme për institucionet e Republikës së Kosovës dhe popullin e Kosovës", është shprehur z.Thaçi.
Kreu i qeverisë shfaqi bindjen se me vendosjen e EULEX-it në veri do të krijohen kushte edhe për ushtrimin e autoritetetit të institucioneve të Kosovës. Ai tha se nuk mund të lejohet që edhe më tutje në veri të Kosovës të sundojë kontrabanda dhe krimi i organizuar. Ndër përparësitë kryesore të misionit evropian sipas kryeministrit Thaci duhet të jetë kthimi i pronave të shqiptarëve që janë uzurpuar nga serbët dhe shpërbërja e strukturave paralele. Institucionet e Kosovës i kanë premtuar bashkëpunim misionit të BE-së për sundim të ligjit, por kanë kërkuar që mandati i tij të jetë me përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe planin Ahtisari. EULEX-i pritet të fillojë zyrtarisht punën javën e ardhshme, pas pëlqimit që mori ditë më parë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Këshilli mbështeti raportin e Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Mon, i cili përfshinte një marrëveshje gjashtëpikëshe me Beogradin me të cilën ndërlidhej edhe vendosja e misionit evropian në Kosovë, si dhe reagimin katërpikësh të Prishtinës zyrtare, që kërkonte shtrirjen e EULEX-it në tërë tërritorin mbi bazën e Planit Ahtisaari dhe të Kushtetutës së saj. Autoritetet serbe e kanë cilësuar mbështetjen që Këshilli i Sigurimit i ka dhënë raportit të z.Ban, si një tjetër fitore të diplomacisë së Serbisë, ndërsa Prishtina zyrtare ka siguruar se nuk do të lejojë zbatimin e asnjë plani që cenon pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Kundër planit gjashtëpikësh të z.Ban, që u jep një autonomi më të madhe zonave të banuara me serbë, sot në Prishtinë pritet të mbahet një demonstratë e organizuar nga shoqëria civile. Kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar se demonstratat e tilla janë të panevojshme, pasi sipas tij, plani gjashtëpikësh tani i takon së kaluarës. "Gjashtëpikëshi i takon të së kaluarës, nuk është projekt i implementueshëm në Republikën e Kosovës dhe do të ketë vetëm një sistem unik të doganave, policisë dhe drejtësisë", tha ai. Komentet e kryeministrit Thaçi u bënë gjatë një tryeze të rrumbullakët, në të cilën qeveria e Kosovës inicoi punën për hartimin e strategjisë për luftimin e krimit të organizuar. Debati për këtë fenomen negativ me të cilët përballet Kosova, u bë pas vlerësimeve të Komisionit Evropian në raportin e tij të fundit, I cili kritikon qasjen e autoriteteve të Prishtinës në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në prag të takimit të sotëm të Mekanizmit Përcjellës të Stabilizim Asociimit për Kosovën.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›