Thaçi: Ata që kërkojnë kthim prapa, janë injorantë

Ai, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ka dal në një konferencë për media, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve rreth kësaj çështje. Sipas tij, Qeveria e Kosovës do të jetë e përgjegjshme në procesin e dialogut, duke respektuar gjithmonë Kushtetutën dhe ligjet e saj në fuqi dhe dokumentin e presidentit Ahtisari.
I pyetur se kjo marrëveshje a nënkupton edhe heqjen dorë të Kosovës nga Republika, Thaçi ka thënë se kjo nënkupton respektimin e plotë të sovranitetit, integritetit territorial, të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
Thaçi, disa krahasime që janë bërë nga partitë opozitare se Kosova tash e tutje është si Palestina-gjysmështet, i ka quajtur të paqëndrueshme, duke shtuar se çdo zë pretendues për rikthim prapa është zë injoranti.
“Krahasimet e tilla janë plotësisht të paqëndrueshme të jo njohësve të rrethanave për Kosovën apo mendimit për të krijuar konfuzion në opinionin publik, të atyre që nuk kanë besuar në bërjen e Kosovës shtet dhe nuk besojnë në konsolidimin e shtetit. Qytetarët e Kosovës kanë besuar dhe besojnë në fuqizimin e shtetit, në integrimin e Kosovës në NATO dhe në Bashkim Evropian dhe kjo do të ndodh. Viti 2012 është viti i suksesit historik për Republikën e Kosovës dhe çdo zë pretendues për rikthim prapa është ose zë injoranti apo disfatisti apo që nuk beson në funksionalizimin e plotë të shtetit të Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Duke dhënë më shumë detaje rreth përfaqësimit të Kosovës, shefi i qeverisë ka thënë se Kosova do të përfaqësohet si shtet i pavarur dhe sovran, sikur gjitha shtetet e tjera.
“Kosova do të përfaqësohet si shtet i pavarur dhe Sovran ashtu si do të përfaqësohen të gjitha shtetet e rajonit, duke respektuar gjithmonë kushtetutën dhe ligjet e saj dhe modelet evropiane”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq i pyetur se ku i ka marr informacionet Partia Demokratike e Kosovës (PDK), për akuzat që janë shpalosur dje në Kuvendin e Kosovës, ndaj liderit të Vetëvendosjes Albin Kurti dhe kur pritet që t’i jap një përgjigje kësaj lëvizje për takimet me presidentin serb, Boris Tadiq, kryeministri nuk ka dhënë asnjë përgjigje.
“Unë nuk kam qenë dje në kuvend dhe as nuk kam qenë në Kosovë. Kam ardhur vonë. Nuk jam i informuar plotësisht me zhvillimet dhe debatet që janë zhvilluar në kuvend dhe nga ky mjedis do të thotë nga mjedisi i Qeverisë së Republikës së Kosovës ku unë i shërbej gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Mos prit që të jap opinione partiake”, ka theksuar kryeministri Thaçi.
Gjatë ditës së djeshme, në fillimi të seancës së Kuvendit të Kosovës, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, apo siç e quajnë ndryshe “Kamishi”, ka ngritur disa akuza ndaj liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për mbajtje të korrespodencës me serbët pas luftës.
Akuza këtu që nuk janë komentuar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, por nga selia e Vetëvendosjes, e cila shpërndau një komunikatë për media, në të cilën thuhej se akuzat e Haxhiut janë të pabazë dhe se ato bëheshin, sipas tyre, për ta shpërqendruar vëmendjen e opinionit, për përgjigjet që janë duke pritur nga kryeministri Thaçi, rreth takimeve të tija me presidentin serb, Boris Tadiq.
Pavarësia e mbikëqyrur përmbyllet gjatë këtij viti
Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, pas kthimit nga Vjena, ka thënë se definitivisht muaji janar ka qenë muaj i perspektivës për Republikën e Kosovës, duke shtuar se procesi i pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës do të mbyllet brenda vitit 2012.
Ai para kabinetit qeveritar ka folur për prezantimin që i ka bërë Kosovës para Grupit Drejtues Ndërkombëtar. Ndërsa në mbledhjen e sotme të Qeverisë janë miratuar disa propozim-vendime.
Shefi i Qeverisë së Kosovës, ka thënë se në Vjenë janë prezantuar të arriturat e Kosovës në të gjitha sferat, por edhe të arriturat në veçanti për ndërtimin e Kosovës demokratike, shumetnike dhe evropiane.
Për më tepër ai ka shtuar se të arriturat e Kosovës gjatë këtyre katër viteve, si shtet, janë të prekshme, konkludim ky, sipas tij, edhe i Grupit Drejtues Ndërkombëtar.
“Ishte konkludim i të gjithëve se shteti i Kosovës po konsolidohet dhe forcohet. Është hapur perspektiva e sigurt evropiane për Kosvën, se ka të arritura të prekshme, të vlerësuara lartë nga të gjithë në konsolidimin e shtetit forcimin e institucioneve, forcimin e marrëdhënieve me fqinjët. Gjithashtu, edhe për punën e mirë që po bëjmë si Qeveri për kultivimin e frymës tolerante multietnike”, ka thënë kryeministri Thaçi.
Gjithashtu, ai ka shtuar se këto ditë ndodhi edhe njohja e 86 e Republikës së Kosovës, duke shtuar se njohjet e tilla do të vijnë edhe në ditët e ardhshme.
Sipas tij, tani për herë të parë mund të thuhet se Kosova ka një agjendë kaq të qartë evropiane për liberalizimin e vizave dhe për marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian.
Kryeministri këtë sukses ia ka adresuar edhe Kuvendit të Kosovës, presidencës dhe shoqërisë civile.
Gjithashtu, ai në emër të qeverisë ka falënderuar të gjitha shtetet e Grupit Drejtues Ndërkombëtar, si dhe punën e përfaqësuesit Special të ICO, Peter Faith për punën e tij korrekte.
Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri, Bujar Bukoshi duke folur për propozim vendimin për themelimin e komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit të UÇK-së, veteranit pjesëtarit të UÇK-së apo të internuarit të UÇK-së, ka thënë se kjo po bëhet, në mënyrë që të zbatohet ligji për këtë kategori.
“Me qëllim të zbatimit të ligjit për statusin dhe të drejtat e kësaj të dëshmorit të kombit, invalidit të UÇK-së, veteranit pjesëtarit të UÇK-së apo të internuarit të UÇK-së, ky ligj përcakton që Qeveria të themelojë, me vendim, një komision qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit të UÇK-së, veteranit pjesëtarit të UÇK-së apo të internuarit të UÇK-së. Anëtarët që janë propozuar i kemi të prezentuar. Organizimi dhe funksionimi i punës detyrat dhe përgjegjësitë të këtij komisioni do të përcaktohen me një akt nënligjor”, ka theksuar Bukoshi.
Gjithashtu, në mbledhjen e sotme janë miratuar propozim-vendimi për emërimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës, propozim-vendimi për themelimin e Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit të UÇK-së, Veteranit pjesëtarit të UÇK-së apo të internuarit të UÇK-së dhe propozim vendimi për zbatimin e nenit 7 të Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës. (Kosovapress)