E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedonia si model

Ndërmjetësi Robert Cooper nuk arriti të vizitojë të enjten Prishtinën për shkak të motit të keq. Bisedat me shefen e delegacionit të Kosovës, Edita Tahirit, ai do t’i vazhdojë sot përmes një videokonference. Cooper po përpiqet të ofrojë zgjidhje për bashkëpunimin rajonal, duke u bazuar në kontestin greko-maqedonas. Pala kosovare ka pranuar këtë model, derisa Serbia po insiston ende në Rezolutën 1244.

Ndërmjetësi i Bashkimit Europian në bisedimet Kosovë-Serbi, Robert Cooper nuk ka arritur të vizitojë të enjten Prishtinën për shkak të pamundësisë për të aterruar në Aeroportin e Sllatinës.

Cooper ka qëndruar të mërkurën në kryeqytetin serb, ku ka diskutuar me negociatorin Borko Stefanovic çështjen e përfaqësimit të Kosovës në forumet rajonale.

Për këtë temë, ai është dashur të flasë me negociatoren e Kosovës, Edita Tahirin.

Zëvendëskryeministrja Tahiri ka bërë të ditur se vizita e Cooper mund të bëhet në rrethana më të mira klimatike, pasi mosardhja e tij mund të perceptohet keq nga opinioni.

“Unë fola sot në telefon, ai vetë është lajmëruar dhe i kam kërkuar që ta vizitojë Kosovën, pavarësisht se do të flasim në videokonferencë. Kam argumentuar se në opinionin publik vizitat e tij duhet të jenë të balancuara edhe në Beograd edhe në Prishtinë dhe opinioni ka mbetur i pakënaqur me mosardhjen e tij , por ne e kemi arsyetuar sepse u pa që moti i ligë i pengoi lëvizjet, ajo ishte reale, por kjo mund të kompensohet me një situatë më të mirë në ditët e ardhshme”, ka thënë Tahiri në një prononcim për Express.

Ajo ka shpjeguar se do të ketë një “raund” të ri bisedash me Cooper përmes videolidhjes.

“Biseda me videkonferencë do të jetë nesër (premte) diku rreth orës 3 .Ne sot përsëri kemi biseduar që të përgatisim takimin e nesërm, ku unë do të njoftohem me bisedat që janë zhvilluar në Beograd për të parë se a ka pasur lëvizje në pozicionin e palës serbe për bashkëpunimet rajonale”, ka thënë negociatorja kosovare.

E kur është fjala për bashkëpunimin rajonal, BE i ka kërkuar Serbisë të arrijë një marrëveshje me Kosovën në shkëmbim të kandidaturës për anëtarësim në Union.

Shefja e delegacionit të Kosovës ka shpjeguar se ndërmjetësi Cooper tashmë ka bërë një propozim, që është i pranueshëm për palën kosovare e që bazohet në modelin maqedonas.

“Çështja e denominimit mund të ketë një fusnotë sipas modelit që e ka sot Maqedonia në bashkëpunimet, qoftë rajonale, qoftë evropiane, për shkak se ka një mosnjohje të emrit sot nga Greqia . Prandaj te fusnota ne mendojmë që realisht ajo duhet të shprehë realitetin, pra faktin që Kosovën e kanë njohur shumica e vendeve të BE’së, 22 vende dhe shumica e vendeve të botës”, ka thënë Tahiri.

“Më herët, pra qysh në dhjetor, në raundin e fundit, Cooper ka dalë me një propozim i cili nuk përfshin Rezolutën 1244 dhe propozimi i tij shpreh realitetin e Kosovës, që është shtet i pavarur dhe sovran, por që nuk ka ende njohje nga disa vende”, ka shtuar Tahiri.

Pra, në këtë propozim, sipas Cooper, pala kosovare heq dorë nga fjala “ Republikë”, derisa Serbia nga Rezoluta 1244.

Por, për këtë çështje akoma palët nuk janë dakorduar, derisa Tahiri fajëson Serbinë për mungesën e marrëveshjes.

“Serbia do të insistojë në Rezolutën 1244, që nuk ka tashmë vlefshmëri as juridike as politike. Unë mendoj se Serbia bëhet penguese e dialogut teknik në moment që Serbia lëvizë nga ky pozicion, që në një mënyrë do të tregojë se po jeton me realitetin ashtu siç të gjitha shtete që kanë dalë nga ish Jugosllavia janë duke jetuar dhe pranuar realitetin”, ka thënë Tahiri.

Aktualisht nuk dihet se kur palët mund të vazhdojnë bisedimet në Bruksel, edhe pse gjasat janë që një gjë e tillë pritet të ndodhë gjatë muajit shkurt, pasi siç dihet BE pritet ta thotë fjalën e vet për kandidaturën e Serbisë më 27 shkurt.

Tahiri thotë se kur do të shkojë në Bruksel, do ta kuptojë gjatë bisedës me Cooper.

“Unë mendoj se gjatë bisedës së nesërme (e premte) në videokonferencë do të jem në gjendje të shoh se a ka pasur lëvizje pozitive nga pala serbe. Nëse pra ka pasur edhe ata kanë vendosur që të heqin dorë nga Rezoluta 1244, atëherë rriten perspektivat për një takim sa më të shpejtë në Bruksel”, ka thënë ajo.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›