Thaçi: Bisedimet me Serbinë, si 2 shtete
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi se takimet e radhës me Serbinë mund të zhvillohen vetëm në nivel të të barabartëve.
“17 shkurti ka vulosur fatin e Kosovës dhe takimet me Serbinë mund të zhvillohen vetëm në nivel të të barbartëve. Prishtina mund të bisedojë me Beogradin vetëm në nivel të barabartë për interesa të dy shteteve dhe popujve”, theksoi sot kryeministri Hashim Thaçi duke komentuar paralajmërimet për takime eventuale Beograd Prishtinë.
Kryeministri Hashim Thaçi përsëriti këtë qëndrim në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, pas informacioneve të ditëve të fundit për mundësinë e bisedimeve të reja mes dy vendeve. Thaçi rikonfirmoi gatishmërinë për ndërtimin e raporteve të mira me të gjitha vendet fqinje, përfshirë Serbinë.
Kryeministri gjithashtu vlerësoi të suksesshme vizitën e fundit në Itali, gjatë të cilës tha se ka marrë vazhdimin e mbështetjes për Kosovën. Mbledhja e sotme e qeverisë sidoqoftë, u fokusua në çështje përgjithësisht ekonomike. (INA)