Leskaj: Përcaktoni datën për Kodin Zgjedhor
Tiranë- Projektligji për Kodin Civil, pjesë e rendit të ditës në seancën e sotme në Kuvend nuk ka marrë votat e mjaftueshme, e për pasojë është rrëzuar. Deputeti demokrat, Astrit Patozi e ka quajtur një veprim jo serioz dhe gjest për të ardhur keq nga ana e opozitës, që nuk dha votat për Kodin Civil, ndërkohë që kreu i grupit parlamentar, Valentina Leskaj është kundërpërgjigjur, duke deklaruar se mungesat e maxhorancës në këtë votim, nuk duhen kërkuar te opozita.
Përkundër kësaj, ajo ka theksuar me forcë se duhet të përcaktohet me urgjencë një datë për miratimin e Kodit Zgjedhor, ndryshe forca që përfaqëson nuk do të japë më konsensus për ligjet në parlament.
“Ne do të votojmë ndryshimet në Kodin Civil se kemi mbështetur çdo nismë që kontrubuon në luftën kundër korrupsionit, edhe pse nuk besojmë që ky kod do të ketë ndonjë impakt në luftën ndaj korrupsionit”- tha Leskaj, duke e argumentur deklaratën e Patozit, si të një personi të gjendur në pozitë të vështirë.
Sipas saj, është e filmuar seanca dhe të prnaishëm aty kanë qenë vetëm tre ministra, që dhanë votën për projektigjin. “Mungonte qeveria për të plotësuar votat për të miratuar kodin dhe mungesat e mazhorancës ai nuk duhet t’i kërkojë te opozita”- tha ajo, duke shtuar se duhet të përshpejtohet puna për kodin elektoral se çdo vonesë cënon cilësinë e procesit zgjedhor, ndërkohë që janë afatet e fundit kohore.
Lidhur me mosmiratimin e kodit, kryetari i Grupit parlamentar të PD-së Astrit Patozi shprehu keqëardhjen për deklaratën e sotme të opozitës në sallën e Parlamentit. “Deklarata është në shkelje të rëndë të një marreveshjeje të paarritur paraprakisht për këtë dhe mbi të gjitha që shndërron opozitën në një avokate të korrupsionit,sepse ligji ishte shumë i rëndësishëm në luftën kundër këtij fenomeni në vend''- tha ai.