Thaçi-Bugajski: Konferencë ndërkombëtare për Kosovën

Organizimi i një konference ndërkombëtare për Kosovën në Uashington, me qëllim rritjen e njohjeve për shtetin e ri ishte në mesin e temave të diskutuara në takimin mes kryeministrit Thaçi dhe drejtorit të Qendrës për Studime Strategjike e Ndërkombëtare, Janush Bugajski.
Gjithashtu në takimin e mbajtur në Prishtinë disa nga pikat e tjera të diskutimit ishin edhe integrimi i Kosovës në institucionet euro-atlantike dhe reforma zgjedhore.
Sipas mediave kosovare Thaçi e informoi Bujaskin për konsolidimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, për arritjen e marrëveshjes mes partive politike kosovare për zgjedhjen e presidentit dhe për reformën e domosdoshme të Ligjit Zgjedhor dhe për reformën e zgjedhjes së presidentit drejtpërdrejtë nga populli.
Sipas Thaçit me këtë marrëveshje është krijuar një klimë pozitive për thellimin e mëtejshëm të reformave të gjithëmbarshme në politikë, ekonomi dhe legjislacion, në funksion të përmbushjes së plotë të standardeve për integrimin e Republikës së Kosovës në institucionet euro-atlantike.
Ndërkaq, drejtori i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, Janusz Bugajski ka vlerësuar përkushtimin për tejkalimin e ngërçit politik dhe arritjen e konsensusit për zgjedhjen e presidentit të ri dhe për fillimin e reformës zgjedhore në Kosovë.