Thaçi: IBM do të diskutohet në dhjetor

Kryeministri Thaçi ka thënë se në takim është diskutuar për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe se theks i veçantë i është kushtuar Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM).
Për këtë të fundit, Thaçi ka thënë se është arritur pajtim që të flitet sërish në muajin dhjetor, kur edhe ka shfaqur shpresën se do të nisë të zbatohet.
Duke folur në një intervistë për Televizionin Publik të Kosovës, kryeministri ka thënë se është ngritur edhe domosdoshmëria e zgjidhjes së fatit të personave të pagjetur të luftës.
Thaçi ka thënë se është biseduar edhe për strukturat e Serbisë në Kosovë. Ai ka thënë se ka kërkuar që të bëhen transparente të gjitha mjetet materiale që Serbia jep për strukturat në veri, ashtu si edhe shuarjen e tyre.
“Ka struktura kriminale që mbajnë peng dhe të frikësuar qytetarët. I gjithë angazhimi ynë për veriun do të jetë në përputhje me Deklaratën e Pavarësisë, Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Kryeministri e ka vlerësuar takimin e së mërkurës në Bruksel si tejet konstruktiv dhe ka thënë se ka qenë më substancial se takimi i parë.
Takimi i parë në mes të Thaçit dhe Daçiqit është zhvilluar më 19 tetor, po ashtu nën praninë e baroneshës Ashton.
Kreu i ekzekutivit ka thënë se është arritur pajtim për takime të tjera, ndërsa data e tyre do të caktohet nga kryediplomatja evropiane.
Takimet kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ashton në darkë pune me Thaçin e Daçiqin
Shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka nisur darkën e punës me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atë të Serbisë, Ivica Daçiq.
Më herët, Ashton ka takuar ndaras në Bruksel Thaçin dhe Daçiqin.
“Presim që të dy ata të flasin hapur për vazhdimin e dialogut dhe tema të rëndësishme”, ka thënë zëdhënësja e Ashtonit, Maja Kocijançiq, për mediat në Beograd.
Takimi i sotëm Thaçi - Daçiq pason atë të 19 tetorit ndërmjet tyre, të zhvilluar po me ndërmjetësimin e BE-së.
Ai takim ishte përshëndetur nga Uashingtoni dhe Brukseli duke shprehur besimin se në fund të procesit të dyja vendet do të arrijnë deri te një stad i normalizimit të marrëdhënieve reciproke. (REL)
Thaçi takon Ashtonin
Në Bruksel tashmë ka filluar takimi i kryeministrit Hashim Thaçi me Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Catherine Ashton. Informacioni është publikuar në profilin e shërbimit evropian për Politikë të Jashtme në rrjetin social Twiter.
Takimi i kryeministrit Thaçi më baroneshën Ashton, i cili ishte paraparë të ndodhë në orën 19.00, ishte shtyrë për në orën 19. 45.
Para se të realizohej takimi mes kryeministrit Thaçi dhe baroneshës Ashton, kjo e fundit ka zhvilluar një takim me kryeministrin serb Dacic.
Pas përfundimit të këtyre takimeve kokë më kokë me secilin nga dy kryeministrat, shefja e politikës së jashtme të BE-së do të organizojë një darkë pune të përbashkët. Ndërsa prononcimi për opinion, nëse do të ketë, pritet të ndodhë pas orës 22.30.
Gati për takim
Takimi i kryeministrit Hashim Thaçi më baroneshën Catherine Ashton, i cili ishte paraparë të ndodhë në orën 19, është shtyrë për në orën 19 e 45. Kjo shtyrje bën që të shtyhet edhe darka e punës, ku baronesha Ashton do të ulë në një tryezë kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi me atë të Serbisë, Ivica Daçiq, në mënyrë që formalisht do të nis dialogu i cili do të quhet “dialog për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe të Serbisë”.
Para se të realizohej takimi mes kryeministrit Thaçi dhe baroneshës, Ashton, kjo e fundit ka zhvilluar një takim me kryeministrin serb Daçiq.
Zyrtarët e Bashkimit Evropian janë tejet diskret për sa i përket përmbajtjes së tërë mbrëmjes, vetëm dihet se me qëllim është organizuar për darkë në mënyrë që i tërë takimi të jetë në një atmosferë më të relaksuar, ndonëse do të trajtohen edhe temat konkrete.
Ndër temat konkrete do të jetë ajo në çfarë insiston pala kosovare dhe ajo evropiane dhe ka të bëjë me implementimin e menjëherë të gjitha marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut teknik, më saktësisht në IBM në mënyrë që pas implementimit të këtyre çështjeve të hapen edhe çështjet tjera të cilat do të shtjellohen gjatë procesit të dialogut politik në nivelin më të lartë shtetëror.
Në fund të takimit i cili pritet të përfundoj rreth orës 22:00, priten edhe deklarimet e kryeministrave me përshtypjet e tyre për këtë takim./kosovapress/