Thaçi: Jam krenar që plotësova aplikacionin e veteranit
Me këtë rast, i pyetur nga gazetarët se çfarë do të ndodh me ish-ushtarët që kanë qenë pjesë e formacionit ushtarak, i njohur si FARK, Thaçi ka thënë se të gjithë ata që e kanë pasur emblemën e UÇK-së do ta ketë përkujdesjen institucionale.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e nënshkrimit të aplikacionit për veteranin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se ndihet shumë krenar që po e bën një gjë të tillë, pikërisht në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe në 5-vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Ai ka shprehur besim të plotë se procesi i regjistrimit të veteranëve, dëshmorëve dhe invalidëve të UÇK-së do të përfundojë suksesshëm.
“Sot ndihem tepër krenar në këtë 100-vjetor të pavarësisë së Shqipërisë dhe në 5-vjetorin e pavarësisë së Kosovës të fillojmë edhe implementimin e procesit të përkujdesjes institucionale dhe shtetërore për kategorinë e veteranëve të luftës pas institucionalizimit të përkujdesjes për Familjet e Dëshmorëve dhe Invalidëve të Luftës, tani edhe kategoria e njerëzve të përkushtuar të sakrificës dhe të çlirimtarëve të vendit, veteranëve, Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur të punojë maksimalisht dhe unë kam besim të plotë se ky proces do të përmbyllet shpejt në afatin e paraparë dhe të gjithë veteranët i ftoj, edhe si Kryeministër edhe si bashkëluftëtar i tyre, që të aplikojnë dhe ta përmbyllim suksesshëm këtë proces”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se shteti i Kosovës u është mirënjohës të gjithë veteranëve të UÇK-së, Familjeve të Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës. Thaçi ka thënë se që nga sot fillon edhe përkujdesja institucionale e shtetërore edhe për veteranët e luftës.
Kurse i pyetur nga gazetarët se çfarë do të ndodh me ushtarët që kanë qenë pjesë e formacionit ushtarak i njohur si FARK, Thaçi ka thënë se të gjithë ata që e kanë pasur emblemën e UÇK-së do ta ketë përkujdesjen institucionale.
“Kosova ka pasur ushtri çlirimtare të Kosovës, ka pasur çlirimtarë. Të gjithë ata që kanë kontribuar do t’i kushtohet kujdes i veçantë, kujdesje institucionale. Ne kemi fituar të bashkuar, të bashkuar do të vazhdojmë të punojmë edhe për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe BE dhe çdo njeri që ka pasur emblemën e UÇK-së do të ketë përkujdesje të përgjithshme institucionale. Prandaj, nuk kisha preferuar që në asnjë rrethanë të mos pretendon dikush që ta vë në pozicione jo të volitshme dikë tjetër se është ma çlirimtar se të tjerët. Të gjithë janë të barabartë”, ka thënë ai.
Kurse ministri i FSK-së, Agim Çeku, po ashtu është ndier krenar që e ka plotësuar aplikacionin e veteranit, duke shtuar se bashkë me kryeministrin Thaçi e kanë nisur këtë proces, për të cilin ai ka shprehur bindjen se do të përfundojë suksesshëm.
“Këtë proces e kemi nisur bashkërisht me Thaçin, bashkëluftëtarin tim dhe Kryeministrin tim dhe jam i sigurt se të gjitha proceset edhe më përpara edhe këtë proces do ta kryejmë me sukses”, ka thënë ai.
Ndërkaq, kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Muharrem Xhemajli, ka thënë se është nder për ta që aplikacionet e para në këtë proces i plotësojnë dhe nënshkruajnë Kryeministri Thaçi dhe ministri i FSK-së Çeku, të cilët, sipas tij, kanë qenë kontribuues në luftën e UÇK-së. Ai ka thënë se tash e tutje, edhe veteranët do ta kenë përkujdesjen institucionale.
“Ne Organizata e Veteranëve të Luftës kemi nderin që sot aplikacionet e para për veteranët e luftës, për verifikimin e veteranëve të luftës, njohjen e statutit të veteranëve, dëshmorit dhe të internuarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i plotësuan dhe i nënshkruan Drejtori i Drejtorisë Politike të UÇK-së, bashkëluftëtari yni dhe Ministri i FSK-së, ish Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, të cilët në mënyrë simbolike dhe para nesh këtu na kanë bërë një nder të veçantë, me ardhjen e tyre këtu, dhe ne jemi shumë krenar sepse është një proces i cili, siç e tha edhe Kryeministri, që tash e tutje të gjithë veteranët do ta kenë një përkujdesje në mënyrë institucionale dhe në mënyrë shtetërore. Nuk mund të them se nuk kemi pasur përkujdesje deri më tani”, ka thënë ai.
Për më tepër, procesi i regjistrimit të veteranëve, dëshmorëve dhe invalidëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka filluar sot dhe pritet të zgjasë deri në shkurt të vitit të ardhshëm. Të drejtë aplikimi kanë edhe ata që nuk kanë pasur pushkë, por që kanë shërbyer në logjistikë e mënyra të ndryshme të dhënies së kontributit të tyre. Pas përfundimit të regjistrimit të veteranëve, dëshmorëve dhe invalidëve të UÇK-së, pritet të bëhet edhe amandamentimi i ligjit për veteranët, i cili më pas do t’i filtrojë ata dhe do ta përcaktojë se kush mund të përfitojë nga ky proces. /kosovapress/