E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaci Kosova perfaqesim si shtet sovran

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci ka shuar cdo dyshim në lidhje me përfaqësimin e vendit në nismat rajonale, duke theksuar se Kosova do të përfaqësohet tërësisht si shtet sovran.

I pyetur nga mediat, Thaci ka deklaruar se Kosova do të përfaqësohet si e barabartë me Serbinë dhe në respektim të plotë të Kushtetutës.

Kryeministri ka hedhur poshtë akuzat e opozitës kosovare, që e ka krahasuar Kosovën me Palestinën nëse në dialogun me Serbinë hiqet nga përdorimi termi “Republika e Kosovës”.

“Deklarata të tilla i bëjnë vetëm ata që nuk njohin rrethanat”, ka deklaruar Thaci, i cili ka shprehur bindjen e tij se ky do të jetë viti i fundit i pavarësisë së mbikëqyrur.

Më tej kryeministri ka shtuar se tashmë Kosova ka perspektivë të qartë evropiane, sidomos pas fillimit të dialogut për heqjen e vizave që nisi disa ditë më parë me vizitën në Prishtinë të komisioneres Cecilia Malmstrom.

Përfaqësimi i Kosovës në nismat rajonale është një nga pikat kyce që do të diskutohet në raundin e ardhshëm të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

Zyrtarët serbë kundërshtojnë pjesëmarrjen e Kosovës me termin Republikë, duke theksuar se ky vend duhet të përfaqësohet në bazë të rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara.

Për këtë cështje dy ditë më parë ndërmjetësi i BE në bisedimet dypalëshe, Robert Cooper vizitoi Serbinë, ku u njoh me propozimet e zyrtarëve vendas.

Ndërkohë që një ditë më vonë ai anuloi vizitën në Kosovë, ku do të diskutonte për të njëjtën cështje me shefen e delegacionit kosovar, Edita Tahiri.

Mediat kosovare raportojnë se anulimi i vizitës së Cooper nuk erdhi vetëm si pasojë e motit të keq me dëborë, por edhe për shkak të rezultateve negative gjatë vizitës në Serbi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›