E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Më 11 shtator u sulmuan vlerat universale të lirisë

Njëmbëdhjetë vite më parë, sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 mbi kullat binjake në qytetin e New York-ut të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shënuan njërën na tragjeditë më të mëdha, që e goditi njerëzimin, thuhet në mesazhin e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e 11 vjetorit të sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me këtë akt, nuk u sulmuan vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me këtë sulm terrorist u sulmuan vlerat universale të lirisë dhe të demokracisë, vlera këto që identifikohen me SHBA-të, tha në mesazhin e tij kryeministri Thaçi.

Edhe në momente si këto, Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjetën forcën e duhur për t’i dhënë përgjigje atyre që paraqesin kërcënim për lirinë, demokracinë dhe të drejtat njerëzore kudo në botë.

Populli amerikan u bashkua si kurrë më parë, ndërsa shteti amerikan çdo ditë po e dëshmon epërsinë e pakrahasuar të vlerave të demokracisë të lirisë, duke përmbysur regjime diktatoriale, duke rritur hapësirën gjeografike dhe politike të shoqërive demokratike.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shteti mik i popullit dhe institucioneve të Kosovës, ishte me ne në ditët e vështira, e po vazhdon të na qëndrojë pranë edhe në proceset e rëndësishme të hapave të parë si shtet plotësisht i pavarur dhe sovran.

Qytetarët dhe institucionet e Kosovës gjithmonë u janë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit amerikan për mbështetjen e madhe në rrugën e lirisë dhe të ndërtimit të demokracisë të shtetit tonë të ri, të lirë, të pavarur dhe demokratik, thuhet në mesazhin e kryeministrit Thaçi.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes në kumtese dërguar medieve, e kujton 11 shtatorin e njëmbëdhjetë viteve më parë, si një ditë të zezë në historinë e re dhe si ngjarjen më tronditëse të kohës sonë.

Lidhja Demokratike e Kosovës, në këtë ditë të kujtimeve të rënda, qëndron pranë SHBA-ve, pranë të gjithë atyre që humbën më të dashurit e tyre.

Lidhja Demokratike e Kosovës është e bindur se e keqja nuk do të arrijë të triumfojë asnjëherë, ashtu si nuk arriti të triumfojë as në sulmet terroriste të 11 shtatorit.

Ne solidarizohemi me të gjithë qytetarët amerikanë, me qytetarët e vendit që ishin krah nesh në ditët më të rënda.

Lidhja Demokratike e Kosovës është e bindur se qytetarët e Kosovës do të jenë përjetë mirënjohës për rolin vendimtar të SHBA-vë për çlirimin e Kosovës, për pavarësinë e saj dhe për ndërtimin e shtetit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›