Thaçi: “OIC do të lobojë për njohje të mëtejshme për Kosovën”

Kryeministri Thaçi takon Sekretarin e Organizatës për Bashkëpunim Islamik
Gjatë vizitës zyrtare në Arabinë Saudite, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Behxhet Pacolli, ka takuar sekretarin e përgjithshëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OIC), Ekmeledin Ihsanoglu. “Sekretari Ihsanoglu ka shprehur konsideratë të veçantë për vizitën e parë të kryeministrit Thaçi në selinë e kësaj organizate dhe ka paraqitur një historik të kësaj organizate lidhur me përkrahjen e Kosovës, që nga viti 1996 deri më sot”, thuhet në një komunikatë të Zyrës së Kryeministrit. Sipas saj, sekretari Ihsanoglu është zotuar se do të vazhdojë përpjekjet e tij për njohjen e Kosovës nga shtetet e tjera anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, që akoma nuk e kanë bërë këtë. Nga 57 shtete anëtare të OIC-së, 30 prej tyre e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Në takim, kryeministri Thaçi ka paraqitur një pasqyrë të zhvillimeve në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë, duke nënvizuar idenë se pavarësia e Kosovës ka krijuar paqe dhe stabilitet. Si rezultat i punës së mirë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, më 2 korrik 2012, Grupi Ndërkombëtar Drejtues do të marrë vendim për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë, ka theksuar kryeministri Thaçi.