E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më 6 janar fillon rinumërimi për votat e Gjilanit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në mbledhjen e mbajtur të martën, mori vendim që procesi i hetimit dhe i rinumërimit për komunën e Gjilanit të fillojë më 6 janar të vitit 2010, ndërsa KQZ certifikoi edhe rezultatet për kryetar të 18 komunave, të cilat kanë kaluar në rrethin e dytë të zgjedhjeve.

Kryeshefi i sekretariatit të KQZ-së, Xhemail Peqani premtoi transparencë të plotë në këtë proces, dhe sipas tij këtë e garanton edhe numri i madh i vëzhguesve nga mekanizmat ndërkombëtarë të involvuar në këtë proces dhe nga ata të subjekteve politike

Ai ka theksuar se pas takimit të sotëm me partnerët ndërkombëtar është vendosur që rinumërimi i votave të bëhet me 6 janar.

“Takimin e sotëm që patëm me partnerët tanë IFES-it dhe USAID-it partner, të cilët kanë qenë në rrugëtimin tona të përbashkët në procesin e zgjedhor në Qendrën e Numërimit dhe të rezultateve dhe nga premtimet e tyre do të na sigurojnë ekspert nga fushat e ndryshe që kanë punuar në QNR erdhëm në konkludim që më 6 janar të fillojë procesi i numërimit të votave për komunën e Gjilanit”, ka thënë Peqani.

Pas procesit të rinumërimit të votave dhe hetimit do të dihet se a do të ketë rivotim në komunën e Gjilanit.

Në mbledhjen e sotme anëtarët e KQZ-së u certifikuan edhe rezultatet për kryetar të komunave për 18 komunat, të cilat kanë kaluar në rrethin e dytë të zgjedhjeve. (Kosovapress)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›