E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaci con në Kushtetuese, cështjen e imunitetit

PRISHTINË- Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi kërkoi të mërkurën nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës që të sqarojë çështjen e imunitetit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Një vendim i tillë është marrë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar që Gjykata Kushtetuese të sqarojë përveç imunitetit të deputetëve, edhe imunitetin e posteve tjera, si presidentit, kryeministrit etj.

Kryeministri Thaçi ka thënë se është detyrim institucional që para qytetarëve dhe botës demokratike që kësaj çështje t’i jepet përgjigje ligjore.

Thaçi ka thënë se këtë kërkesë, Qeveria e Kosovës e bën duke u bazuar në nenin 92 pika 10 e Kushtetutës së Kosovës dhe nenit 113 të Kushtetutës e cila e parasheh edhe Qeverinë si palë që mund të ngreje një kërkesë të tillë para Gjykatës Kushtetuese.

Në fakt, javën e kaluar EULEX-i kishte kërkuar që Kuvendi i Kosovës përmes një rezolute të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese sqarimin e çështjes së imunitetit të deputetëve, në mënyrë që t’i hapë rrugë arrestimit eventual të deputetëve që janë nën hetime.
Një kërkesë të tillë u përkrah edhe nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-të.

Megjithatë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, gjatë gjithë kohës ka kundërshtuar idenë që Kuvendi të nxjerrë rezolutë, me anë të të cilës do t’i kërkohej sqarim Gjykatës Kushtetuese lidhur me imunitetin e deputetëve. Ai ka kundërshtuar këtë rezolutë, me arsyetimin se kjo nuk është çështje që i përket Kuvendit të Kosovës.
(m.a/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›