Kritikat e Lunaçekut
Bashkimi Evropian dhe institucionet e Kosovës kanë marrë kritika për qasjen e tyre në sferën e ekonomisë kosovare. Kësaj radhe, me këto kritika iu është drejtuar eurodeputetja Ulrike Lunaçek, e cila gjatë një takimi me përfaqësuesit e biznesit dhe udhëheqësen e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, tha se po mungojnë veprime aktive nga të dy palët në fushën e ekonomisë. Në këtë takim është diskutuar edhe kthimi i preferencave tregtare për Kosovën.
Sipas Lunaçekut, njëra prej problemeve është edhe mospranimi i Kosovës nga ana e pesë shteteve anëtare të BE-së. “Për ketë arsye është e nevojshme që të bëhen hapa të mëtejshëm për zhvillimit ekonomik, gjegjësisht integrimin ekonomik në mënyrë që Kosova të përparojë në rrugën e saj kah aderimi në Bashkimin Evropian”, tha Lunaçek.
Ajo tha se është shumë e rëndësishme që jo vetëm përfaqësuesit e ekonomisë, por edhe ata të politikës, të bëjnë gjithçka që është e mundshme për rritjen e standardeve në Kosovë, në mënyrë që të arrihen ato që kërkohen nga një shtet që pritet të aderojë në BE. “Njëkohësisht Kosova nuk duhet të merret shumë me faktin se pesë vende nuk e kanë pranuar, por të punojë në realizimin e standardeve evropiane, të cilat do të mundësojnë afrimin e BE-së”, tha eurodeputetja Lunaçek.
Sa i parket problemit me vulën doganore, ajo mendon se kjo çështje është dashur të zgjidhet shume më herët. Ajo tregon se kërkesa e saj ka qenë që kjo të pranohet nga ana e Serbisë në vitin 2008. Madje, ajo pret që kjo çështje të zgjidhet gjatë dialogut me Serbinë.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila tha se partneri kryesor për zhvillimin ekonomik të vendit mbetet sektori privat. Ajo foli edhe për tri pika më të rëndësishme për procesin e integrimit të Kosovës në BE dhe zhvillimin ekonomik. “I pari është i pakontestueshëm Raporti i progresit të Komisionit Evropian, i cili në baza vjetore përfshin edhe Kosovën dhe realizimi i çështjeve të marra si obligime siç janë avancimi i legjislacionit, mbrojtja e investitorëve, mbrojtja e markës tregtare, mbrojta e interesave të sektorit privat, të cilat ishin në fokus të Qeverisë së Kosovës që nga formimi i saj gjegjësisht konstituimi i saj më 22 shkurt të këtij viti”, tha Kusari Lila.
Ajo theksoi se plani i prioriteteve ekonomike, i cili vetëm është prezantuar brenda dhe jashtë Kosovës, tani do të jetë publik edhe përmes portaleve me të gjitha aksionet e detajuara të cilat synojnë drejtpërdrejt targetimin e problemeve në sektorin privat dhe me të cilin parashihet një rritje më agresive ekonomike duke filluar nga viti 2012 me 7-8 për qind dhe për një zvogëlim të papunësisë 8-10 për qind në vit nga papunësia e regjistruar. Duke folur për problemet e realizimit të CEFTA-s, ministrja Kusari Lila ka thënë se Kosova ka riaktualizuar pjesëmarrjen më aktive në këtë marrëveshje dhe në nismat rajonale në të cilat Kosova merr pjesë.