Thaçi fton opozitën në plotësimin e strategjisë për veriun

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka vlerësuar se krahasuar me të kaluarën, sa i përket strukturave paralele, aktualisht ka ndryshime radikale në kuptimin më pozitiv të mundshëm. Këto komente, ai i bëri i nxitur nga pyetja e deputetit të AAK-së, Shkumbin Demaliaj, i cili duke parafrazuar kryeministrin të ketë thënë në Prizren se nuk ka struktura paralele, ka pyetur se çka duhet strategjia për veriun, kur nuk ka struktura paralele.
Kreu i ekzekutivit të vendit ka thënë se nga viti 1999 vazhdimisht ka pasur individë të cilët nuk kanë pasur vullnet ta pranojnë realitetin e krijuar në Kosovë.
“Këtë periudhë e kemi kaluar bashkë me autoritetet ndërkombëtare, ndërkaq dua të theksoj se roli i këtyre individëve është zbehur maksimalisht dhe dëshmi e kësaj është formimi i komunave të reja, organizimi i suksesshëm i zgjedhjeve dhe zgjedhja e liderëve të rinj të komunave serbe”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se individët që nuk e pranojnë realitetin nuk do të kenë as ndikimin më të vogël në institucionet e Kosovës.
Sa i përket strategjisë, Thaçi ka thënë se ajo është punuar bashkë me ndërkombëtarët, ndërkaq ka kërkuar edhe angazhimin e opozitës në këtë projekt për integrimin e pjesës veriore të Kosovës, krijimin e komunës së veriut të Mitrovicës dhe vënien e rendit në tri komunat tjera të kësaj pjese.
Ndërkaq, deputetja e PDK-së Teuta Hadri ka shtruar një problem që përmendet shpesh në seanca, siç është ajo për pagesën e kujdestarive për punëtorët shëndetësorë.
Ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi ka thënë se kanë mbetur pa kujdestari ato institucione shëndetësore që nuk kanë bërë planifikimin e duhur gjatë vitit 2009, ndërkohë që për QKUK-në, ku nuk janë paguar kujdestaritë për katër muaj, ka thënë se do të nisin nga ky muaj të paguhen.
“Ata që kanë bërë planifikimet e duhura janë paguar. Kjo ngecje në QKU prej 4 muajsh që është një shumë prej 5 mijë e 400 euro do të kompensohet nga ky muaj”, ka thënë ai.
Ndërkaq, ministri i Arsimit Enver Hoxhaj, është përgjigjur në pyetjen e deputetes së AAK-së, Donika Kada lidhur me anulimin e tenderit për katër shkolla të premtuara në komunën e Suharekës në kohën e fushatës, duke thënë se kjo ka ndodhë edhe në komunat tjera, për shkak të buxhetit të vogël që ka MASHT-i krahasuar me vitin e kaluar.
Ndërkohë, në fillim të seancës deputeti i LDK-së, Ali Lajçi ka kërkuar nga Kuvendi që të bëjë një deklarim lidhur me çështjen e Albin Kurtit, duke thënë se EULEX-i nuk duhet të merret me këtë çështje ngase, sipas tij, cenohen standardet demokratike të jetës në Kosovës dhe përtej saj.
Kurse deputetja e LDD-së, Dritë Maliqi ka ngritur çështjen e përmendur një ditë më parë në konferencë nga kjo parti për shantazhe dhe presione mbi njerëzit e LDD-së dhe për përjashtimin e tyre nga puna vetëm për shkak të bindjeve tjera politike.
Ajo nuk ka hezituar ta quaj këtë formë komuniste, ndërkohë që ka thënë se ka mjaft dëshmi dhe dokumentacione të plota që dëshmojnë qartë largimin e njerëzve të LDD-së dhe të afërm me këtë parti, vetëm për shkak të bindjeve politike.
Ndryshe, Kuvendi në seancën e sotme ka për shqyrtim dhjetë projektligje: Projektligjin për Kryqin e Kuq të Kosovës; Projektligjin për përdorimin dhe mbrojtjen e emblemës të Kryqit të Kuq, emblemave tjera dalluese dhe sinjaleve; Projektligjin për produktet dhe pajisjet medicinale; Projektligjin për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare; Projektligjin për inspektoratin e tregut dhe mbikëqyrjen inspektuese; Projektligjin për mbrojtje nga dhuna në familje; Projektligjin për energjinë; Projektligjin për energjinë elektrike; Projektligjin për rregullatorin e energjisë; Projektligjin për mjekësinë ligjore dhe shqyrtimin e rekomandimit të komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtar të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës.
Gjithashtu në këtë seancë me propozimin e Kryesisë së Kuvendit do të shqyrtohet edhe rekomandimi i Komisionit për buxhet dhe financa dhe Komisionit për media dhe administratë publike për ndarjen e buxhetit për RTK-në dhe propozimi i qeverisë për zgjedhjen e anëtarëve për bordin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale. /kosovapress/