Falemnderit, por jo

Ramush Haradinaj duket të jetë përballuar me refuzimin e radhës të Fatmir Sejdiut, njeriun që Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dëshiron ta ketë partner me çdo kusht.
Një nxitim i Kabinetit të Liderit të AAK’së ka irrituar Presidentin Sejdiu, i cili njëherësh është edhe Kryetar i LDK’së.
Kështu, ideja e AAK’së që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të garojë me listë të përbashkët me LDK’në, ka shumë gjasë të ketë rënë tashmë si opsion.
Burime të Express kanë pohuar se zyrtarë të lartë të këtyre dy partive janë takuar javë më parë për të diskutuar modalitetet e bashkëpunimit në të ardhmen, të nisur nga ideja se vetëm duke qenë së bashku në zgjedhje do të mund të dilnin si formacioni i parë politik karshi PDK’së së Hashim Thaçit.
“Në këtë takim, zyrtarë të AAK’së e kanë përmendur për herë të parë idenë që të garojnë me listë të përbashkët me LDK’në në zgjedhjet e ardhshme nacionale. Kjo ide është pëlqyer nga zyrtarët e LDK’së”, ka thënë burimi i gazetës.
Por, sipas tij, zyrtarët e LDK’së kanë konsideruar se për këtë ide duhet të diskutohet ende.
Ditë më pas, në Kabinetin e Presidentit Sejdiu ka arritur letra e Kryetarit të AAK’së, në të cilën, siç pohohet, janë shkruar të gjitha detajet e marrëveshjes, pa u diskutuar ato me zyrtarët e LDK’së, ndërsa në fund të letrës figuronin edhe emrat e nënshkruesve të marrëveshjes.
I irrituar nga nxitimi i zyrtarëve të AAK’së, Presidenti Sejdiu e ka refuzuar në parim këtë marrëveshje.
Por, në LDK, zyrtarisht, nuk flasin nëse është refuzuar kjo ftesë e Kryetarit të AAK’së, e as për mundësinë e pranimit të saj.
Nënkryetari i Parë, Eqrem Kryeziu, madje nuk ka dashur as të japë mendimin e tij në parim rreth ofertës së liderit të opozitës.
“Valla unë për letrat e huaja nuk përgjigjem. Duhet me e pyet autorin e saj, Haradinajn”, ka thënë Kryeziu, për Express, të mërkurën.
Ngjashëm si ai janë shprehur edhe Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, dhe Sekretari i Përgjithshëm, Ramë Manaj.
“Unë nuk e kam parë atë letër. Nuk mund ta komentoj atë letër që s’e kam parë dhe nuk e kam lexuar”, ka deklaruar Haziri.
Ramë Manaj, ndërkaq, thotë se LDK asnjëherë nuk ka diskutuar rreth kësaj letre.
“Unë nga ju po e dëgjoj këtë”, ka thënë Manaj.
“Asnjë informatë nuk kam që zotëri Haradinaj i ka dërguar letër LDK’së, Kryetarit të saj ose Nënkryetarit”, ka shtuar ai.
Në letrën e tij, Ramush Haradinaj fton LDK’në që të garojnë së bashku në zgjedhjet e ardhshme nacionale, të cilat, sipas tij, duhet të mbahen me 20 qershor të këtij viti.
Nëse LDK do ta pranonte këtë ofertë, atëherë Fatmir Sejdiu do të ishte bartës i listës, i pasuar nga Ramush Haradinaj, Eqrem Kryeziu, Blerim Shala... Mendohet se bashkimi i LDK’së dhe i AAK’së, në një listë të përbashkët, do t’u jepte atyre mundësi që ta formojnë Qeverinë, pasi që do të renditeshin si subjekti i parë politik.
Nënkryetari i AAK’së, Blerim Shala, përkundër deklarimeve të zyrtarëve të LDK’së, thotë se partia e tij ende pret përgjigje.
“Ende nuk kemi marrë përgjigje. Por, supozoj që LDK është tepër e preokupuar me rrethin e tretë të zgjedhjeve në Prizren dhe Lipjan. Pas përfundimit të këtyre zgjedhjeve, do të bisedohet për këtë çështje”, ka thënë Shala, për Express, të mërkurën.
Sipas tij, rezultatet e zgjedhjeve të fundit kanë shtruar domosdoshmërinë e bashkimit të partive të djathta.
“Një matematikë e thjeshtë tregon se një koalicion i djathtë nga LDK-AAK-LDD ka një përqindje të madhe dhe mund ta formojë Qeverinë. Listat e përbashkëta janë sfiduese, por krijojnë një momentum pozitiv politik në demokraci”, është shprehur Shala.
Por, sipas tij, ideja e listës së përbashkët zgjedhore nuk është varianti i vetëm i krijimit të një “Qeveria të Djathtë”.
“Duke i parë rezultatet e zgjedhjeve të fundit lokale, mund të konstatojmë se votat për partitë e djathta përbëjnë shumicën në Kosovë dhe koalicioni mes këtyre tri partive mund të bëhet edhe pas zgjedhjeve dhe e përbën shumicën”, thotë ai.