Thaçi informon ambasadorët e Kuintit për takimin me Daçiqin

Kryeministri Thaçi iu shprehu mirënjohje shteteve të Kuintit për mbështetjen e dhënë për forcimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës. Sipas Thaçit, njëra nga parakushtet për integrim është edhe forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësia e mirë në mes Kosovës dhe Serbisë.
Thaçi ka informuar ambasadorët e Kuintit për temat e diskutimit gjatë takimit me kryeministrin serb.
“Si çështjen më prioritete të diskutimit, kryeministri Thaçi ka prezantuar çështjen e zbardhjes së fatit të zhdukurve, që sipas z. Thaçi është një çështje shumë e dhimbshme për të gjithë në Kosovë. Po ashtu, kryeministri Thaçi ka prezantuar edhe temat e tjera të takimit, që kishin të bënin me zbatimin e Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, hapjen e Zyrave Ndërlidhëse në Prishtinë dhe Beograd, masat shtesë për mbrojtjen e trashëgimisë së kishave dhe manastireve në Kosovë, zhbërjen e strukturave paralele ilegale serbe në Kosovë, si dhe tema e fundit e diskutuar, që ishte bashkëpunimi ndërshtetëror në infrastrukturën rrugore për vazhdimin e autostradës nga Vërmica në drejtim të Prishtinës, për në kufirin me Serbinë”, thuhet në komunikatën për media të Zyrës së kryeministrit të Kosovës.
Kryeministri Hashim Thaçi ka ritheksuar se në këtë proces të normalizimit të marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë do të sigurojë transparencë maksimale dhe se platformë kryesore e këtij procesi mbetet Kushtetuta së Kosovës.
Ambasadorët e shteteve të Kuintit kanë shprehur mbështetje të plotë për përkushtimet e Kryeministrit Thaçi dhe të Qeverisë së Kosovës për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë./kosovapress/