Thaçi merr mbështetje në realizimin e agjendës evropiane dhe euro-atlantike

Përmes një komunikate për media të lëshuar nga Qeveria thuhet se kryeministri Hashim Thaçi gjatë ditës së hënë ka kontaktuar me ministrin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, William Hague, ministrin e Jashtëm të Suedisë, Carl Bildt, mandej me kongresmenë amerikanë, Eliot Engel dhe Gary Peters, si dhe me presidentin e Kroacisë, Ivo Josipoviq dhe komisionerin evropian për zgjerim, Stefan Fule.
Sipas komunikatës, tema kyçe gjatë bisedave ka qenë kërkesa e kryeministrit Thaçi që Kosova të mbështetet në negocimin dhe nënshkrimin e Marrëveshjes për Asociim dhe Stabilizim, në mënyrë që Republikës së Kosovës t’i hapen dyert drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
“Kryeministrit Thaçi i është rikonfirmuar nga të gjithë bashkëbiseduesit se Kosova do të ketë mbështetje të pa rezervë në realizimin e agjendës së saj evropiane dhe euro-atlantike”, thuhet në komunikatë.
Gjithashtu thuhet se kryeministri Thaçi ka marrë urime me rastin e përvjetorit të katërt të Republikës së Kosovës, si dhe e përgëzuan për të arriturat që ka bërë Kosova në kuadër të këtyre katër viteve.