Disavantazh i pamerituar

Në xhiron e 24-të, Barcelona shkatërroi Valencian duke e mundur 5-1. Shkëlqeu Lionel Messi, i cili shënoi katër gola, kurse asistoi për Xavin në golin e pestë. Trajneri Pep Guardiola ka lavdëruar lojën e skuadrës së tij.
“Gjithmonë e përsëris, por nuk mund të ndalem me lëvdata për futbollistët e mi. Ata janë të veçantë, gjenialë dhe asnjëherë nuk lodhen në përpjekje që t’u dhurojnë tifozëve një shfaqje të mirë dhe argëtuese. Kjo ka qenë një tjetër ndeshje gjeniale me regji të tyre”, tha Guardiola pas ndeshjes.
Ai po ashtu u shpreh se Barcelona nuk e meriton të jetë në dhjetë pikë disavantazh ndaj Realit.
“Sinqerisht, mendoj se nuk e meritojmë të jemi dhjetë pikë prapa Realit. Gjatë sezonit kanë ndodhur disa ndeshje të çuditshme. Por, ju siguroj se nuk jemi dorëzuar. Tre muaj janë të gjatë në futboll dhe shanset tona janë ende të gjalla”, përfundoi Guardiola.