Thaçi premton vendosjen e rendit në veri

Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi me rastin e inspektimit të punimeve në renovimin e shtëpive në një lagje në Mitrovicë vlerësoi se edhe në këtë pjesë të territorit të Kosovës do të vihet rendi dhe ligji, ndërsa kontrabandistët dhe kriminelët i kanë ditët e numëruara.
Me rastin e vizitës në lagjen "Kroi i Vitakut" në veri të Mitrovicës, ku ka inspektuar rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve, të djegura gjatë kohës së luftës, kreu i ekzekutivit kosovarë theksoi se ka ardhur në veri për të përmbushur zotimin e Qeverisë së Kosovës për implementimin e projekteve të rëndësishme që kanë të bëjnë me rikthimin e njerëzve në shtëpitë dhe pronat e tyre.
"Tani do të investojmë në një proces për integrimin e qytetit por në të njëjtën kohë edhe për integrimin dhe bashkëpunimin e gjithë qytetarëve për një jetë të re, për një Mitrovicë të re, Mitrovicë të bashkuar, unike, është shprehur Thaci.
Më pas në fjalën e tij, kryeministri i Kosovës, u shpreh se do të vazhdojmë më tutje në kuptimin e implementimit të plotë të dokumentit të presidentit Ahtisari, të strategjisë për integrim , për sundimin e ligjit, e gjithashtu edhe të organizimit të zgjedhjeve të lira në tri komuna tjera.
Kreu i ekzekutivit premtoi se në mbledhjen e radhës të Qeverisë së Republikës së Kosovës do të diskutojmë për hapet e ardhshëm në implementimin e këtij projekti për rindërtimin dhe ndërtimin e 200 shtëpive tjera në këtë pjesë të qytetin prej nga janë larguar qytetarët më herët.
Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, ka siguruar një pjesë të banorëve të Mitrovicës, dhe të gjithë veriut të Mitrovicës se institucionet vendore të mbështetura nga ato ndërkombëtare do të garantojnë siguri të plotë për ata dhe pronat e tyre.
Thaçi gjatë kësaj vizite ishte në shoqëri të ministrit të Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi dhe ministrit të Pushtetit Lokal Sadri Ferati, zëvendësministrit të Ekonomisë dhe Financave Bedri Hamza dhe kryetarit të Mitrovicës Avni Kastrati