E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi pritet nga mbreti saudit

(E plotësuar) Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Arabinë Saudite, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Behgjet Pacolli, u prit nga mbreti Abdullah Ibn Abdulaziz al Saud.

Në takim është diskutuar për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe për përkrahjen që Arabia Saudite i ka dhënë dhe po vazhdon t’i japë Kosovës.

“Kosova është një shtet, që shikon kah e ardhmja dhe punon për të ardhmen zhvillimore. Në këtë drejtim mbështetja e Arabisë Saudite është e mirëpritur”, theksoi kryeministri Thaçi.

Në takim u bisedua edhe për procesin e njohjeve të reja për shtetin e pavarur dhe demokratik të Kosovës. Në këtë kuadër, kryeministri Thaçi kërkoi nga Mbreti Abdullah që Arabia Saudite ta ndihmojë Kosovën në këtë proces, posaçërisht tek ato vende të pa inkuadruara që manipulohen nga diplomacia e Beogradit.

Në takim, Kryeministri Thaçi mori përkrahjen e Mbretit për investime përmes Bankës Islamike.

Nga ana e tij, Mbreti Abdullah Ibn Abdulaziz al Saud shprehu vullnetin e Arabisë Saudite për ta përkrahur Republikën e Kosovës në vendet ku ka ndikim Arabia Saudite, si në procesin e njohjeve, ashtu edhe në ekonomi, investime dhe turizëm.

Thaçi: Kosova vend atraktiv për investime nga Arabia Saudite

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Behxhet Pacolli u takua me ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, Saud Bin Fejsal dhe zëvendësministrin e Jashtëm Abdulaziz Ibn Abdullah Abdulaziz.

Në takim u bisedua gjerësisht për pozitën diplomatike të Kosovës, për kontributin e Arabisë Saudite gjatë dhe pas luftës. Kryeministri i Republikës së Kosovës kërkoi që Arabia Saudite të ushtrojë ndikimin e saj në vendet e botës arabe që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Në vijim të takimit Kryeministri Thaçi elaboroi profilin e propagandës diplomatike të Beogradit zyrtar, që në kohën e luftës, shqiptarët i akuzonte për fundamentalizëm, ndërsa sot krenohet me vendet e botës islamike që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Kryeministri Thaçi kërkoi që diplomacia e mbretërisë së Arabisë Saudite të ushtrojë ndikim tek qeveritë e Jemenit, Libanit, Egjiptit dhe Sudanit, që ta njohin sa më parë shtetin e Kosovës.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, foli për aspektin e sigurisë dhe të stabilitetit që ka krijuar pavarësia e Kosovës, duke nënvizuar idenë se Kosova është përcaktuar nga e ardhmja dhe jo e kaluara.

Kryeministri Thaçi foli për stabilitetin politik, infrastrukturën ligjore dhe potencialet e Kosovës si vend atraktiv për investime për Arabinë Saudite.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›