Kandidatët për kreun e Kaçanikut, të bindur për fitore

Kandidatët e partive që të gjithë të bindur për fitore, janë zotuar se do të punojnë për vlerat e demokracisë, administratë efikase, për shërbime cilësore, për ngritjen e cilësisë arsimore dhe shëndetësore, për infrastrukturë moderne dhe transparencë, si dhe mirëqenie socio-ekonomike.
“PDK-ja me përkushtimin e saj, me punën e sinqertë dhe efektive është përpjekur të bëjë sa më shumë për Kaçanikun, ndaj edhe kësaj radhe me 17 qershor me ju së bashku do ta rikonfirmojmë besimin dhe fitoren e saj në të mirën e vendit tonë. Ashtu si do të dëshmojmë me vullnet dhe me angazhim të plotë edhe unë duke ushtrua mandatin e kryetarit të Komunës. Ju jeni baza jonë zgjedhore, ju jeni motivi ynë për punë më të suksesshme, ju jeni mbështetje e vazhdueshme dhe mandatore për suksese të reja”, ka thënë Besim Ilazi, kandidati i PDK-së për Kaçanikun.
Ndërsa Vetëvendosje kësaj radhe vjen me sloganin “Tash është koha”. Kandidati Shukri Luta ka premtuar drejtësi, barazi dhe zhvillim.
“Slogani ynë është “Tash është koha”. Shtyllat kryesore janë drejtësi, barazi dhe zhvillim. Drejtësi për arsye se në Kaçanik nuk kemi pas asnjë fushë të jetës. Fatkeqësisht nuk kemi pas as në barazi, si në punë, angazhim, barazia në tender. Qytetarët nuk e kanë pas atë drejt dhe ne do t’i rregullojmë në një afat të shkurt. Sa i përket zhvillimit ne jemi ndër komunat më të pazhvilluara dhe kemi ndërtuar një program qeverisës i cili pas marrjes së mandatit do të implementohet”, ka thënë Shukri Luta, kandidati i Vetëvendosjes për Kaqanikun.
Kandidati i AAK-së ndërsa është shprehur se duhet ndryshuar pushteti për të ndalë keqqeverisjen e deritanishme.
“Në komunën tonë deri sot nuk është investuar ai buxhet i cili është marrë për t’u kthyer tek qytetari. Ka mjaft keqpërdorime, korrupsion, investime të pavenda dhe qytetari i beson Tahir Çakës dhe duhet të më voton për ta ndërruar gjendjen në komunën tonë. Tjetra çka është shumë e rëndësishme, Kaçanikut i ka humbur imazhi për këto vite të cilat kanë kaluar dhe Kaçaniku duhet të mobilizohet dhe të del e të voton për ta ndërruar gjendjen, sepse nuk mund të qëndrojë më në këtë situatë”, ka thënë Tahir Çaka, kandidati i AAK-së për kryetar të Kaçanikut.
Partia tjetër Aleanca për Kosovën e Re do ta përmbyll fushatën në mbrëmje.
Të shtunën në Kaçanik është heshtje zgjedhore, të dielën banorët e kësaj komune kanë të drejtë vote për të zgjedhur kryetarin e tyre.
Zgjedhjet në Kaçanik mbahen pasi kryetari i deritanishëm Xhabir Zharku është dënuar me 3 vjet burg, për veprën penale të detyrimit. /kosovapress/