E Shtunë, 31 Tetor 2026

"The Animals" në Tiranë

Grupi britanik "The Animals", nesër në mbrëmje interpreton për herë të parë për publikun shqiptar. Në orën 20:00, në Pallatin e Kongreseve, nis festivali "The Big Blues", ku së bashku me "The Animals" marrin pjesë edhe Lance Lopez, Louisiana Red, dhe grupi Dr. Feelgood.


Por, në skenën e Pallatit të Kongreseve, fatkeqësisht, nuk do të ngjitet gjithë formacioni i krijuar në vitin 1962, kur Eric Burdon u bashkua me pianistin Alan Price, pasi pianisti i grupit, Dave Rowberry, u nda nga jeta 6 vjet më parë.


Nuk do të kemi mundësinë të shohim ata djelmosha që, në vitin 1964, tregonin një histori të trishtuar të Nju Orleansit, por gjithsesi, muzika e tyre ende vazhdon të elektrizojë publikun. Festivali organizohet nga "The Living Room Show".


Mundësia e Kejsit


Konkursi Evropian i këngës "Eurosong", sot, në mbrëmje, mbyll edicionin e tij të 53-të. Janë 25 këngë që do të interpretohen në këtë mbrëmje, e cila nis në orën 21:00 në ekranin e TVSH-së. Sipas shortit të hedhur pas përfundimit të natës së dytë gjysmëfinale, kënga që përfaqëson Shqipërinë do të këndohet e 19-ta.


Në finalen e Moskës do të interpretojnë sipas radhës, Lituania, Izraeli, Franca, Suedia, Kroacia, Portugalia, Islanda, Greqia, Armenia, Rusia, Azerbajxhani, Bosnje-Hercegovina, Moldavia, Malta, Estonia, Danimarka, Gjermania, Turqia, Shqipëria, Norvegjia, Ukraina, Rumania, Britania e Madhe, Finlanda dhe Spanja.

Nata e fundit e Jazz-it

"Vesa Jazz Festival" mbyll sot në mbrëmje javën e muzikës jazz në Tiranë. Në natën e fundit publiku do të ndjekë interpretimin e drejtorit artistik të këtij festivali, pianistin Massimo Farao. Në orën 19:30, në Teatrin e Metropolit, Farao interpreton së bashku me saksofonistin Jerry Weldon, si dhe me Aldo Zunino në kontrabas dhe Byron Landham në bateri.


Një javë me kulturën bullgare


Për gjatë kate ditëve, publiku kryeqytetas ka mundësinë të ndjekë një sërë aktivitetesh kulturore në kuadër të "Ditëve të kulturës Bullgare në Shqipëri". Aktivitet që do të realizohen nga Ambasada Bullgare më 16-20 maj, përfshijnë koncerte, spektakle te ndryshme dhe shfaqjen e filmave bullgarë.


Kështu, sot, në orën 10:30, në Teatrin e Kukullave shfaqet një film i animuar, ndërsa në orën 18:00, në diskotekën "Kalvin", interpreton këngëtarja Toni Dimitrova.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›