E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punët që rrojnë në të ardhmen

Është hedhur dje në qarkullim vepra e pambaruar e At Zef Pllumit, "Saga e fëmijnisë". Botimi i saj shoqërohet me një aparat shpjegues gjuhësor. Megjithëse e pamjaftueshme për harkun e ngjarjeve, vendeve dhe personazheve që rrok, 1924-1933, ky tregim autobiografik konfirmon rishtas një vetëdije letrare dhe, nga ana tjetër, pse rrokja nga lexuesit e gegërishtes së Pater Zefit, nuk ka qenë një rastësi


Botimet Françeskane nxorën në dritë veprën e shkruar të shkrimtarit françeskan, At Zef Pllumi. Themi e shkruar, sepse sa qe gjallë ai pati vepra të gjalla dhe foli me gojën e vet. "Saga e fëmijnisë", me nëntitullin "Un që jetova shumë shekuj", është një tregim autobiografik, për fat të keq i pambaruar.


Autori shënon në krye të rrëfimit: "Lexuesi e kupton mirë se un nuk jetova as nji shekull të vetëm. Vendi në të cilin linda, ngjarjet që jetova, rrethanat e ndryshme të globit toksor e të jetes seme, më suellen at fat ose at fatkeqsi - thuej ti si të duesh - që un të jetojshem realisht si epoken e gurit, ashtu qytetnimet parakristjane, kohët klasike, epokën mesjetare e, po, në shekullin e njizetë.


Por nuk jam i knaqun nga të gjitha kto. Unë kam aspirue gjithmonë nji epokë tjeter t'ardhme per krejt njerzimin.


Do të vijë ndonjiherë ajo? Un besoj". Është thuajse i njëjti kushtim që ai i pati dhënë trilogjisë "Rrno vetëm për me tregue", duke paralajmëruar lexuesin se ajo që ndërron në faqe të dheut nuk ka të bëjë me punët e shpirtit, i cili prej natyre, njëlloj si barbaria, është i prirur të mos ndryshojë.


Lindjen e fëmijës Zef, ai e përshkruan me të gjitha detajet e ritualit të njerëzve malësorë, jo pse lindi një njeri, po një dragua dhe "vetëm Zoti e din mirë se me çfarë kulshedret të idhtë ka me ra me luftue". Mund ta quash edhe ritual i gëzimit, i cili ka për qëllim t'i mbajë njerëzit bashkë për kohë të ligë.


Autori përshkruan një qytetërim të moçëm, por të vetëdijshëm për veprat që bën Zoti dhe veprat që bën njeriu.


Në këtë kuptim, "Saga" e njerëzve të bukur, e shqiptarit të bukur, është një kundërvënie e barbarisë njerëzore, e barbarisë së shqiptarit. "Saga" është tregim për një kohë kur njerëzit jetonin në një komunitet solid shpirtëror, me Zotin mbi krye dhe Orën e bjeshkëve.


Lindja në pyll, rrena e parë, dëshira për t'u bërë frat, arratisja prej shtëpie, pranimi në kolegjin françeskan dhe njohja me At Gjergj Fishtën, i cili i pati falur "Lahutën e Malcis" me një kushtim, janë kapitujt e "Sagës...." deri më 1933-shin.


Nuk i kishte mbushur 10 vjet. Kur më 11 dhjetor 1946 e nxorën nga Kuvendi Françeskan dhe më 1967-ën iu desh "per të dyten herë gjatë jetës sime me braktisë gjithshka kishem mbas shpirtit", "Lahuta..." ishte nga të paktat gjëra të asaj bote që do t'i shpëtonte.


Megjithëse e pamjaftueshme për harkun e ngjarjeve, vendeve dhe personazheve që rrok, 1924-1933, ky tregim autobiografik konfirmon rishtas një vetëdije letrare të shkrimtarit françeskan dhe, nga ana tjetër, pse rrokja në një masë jo të vogël nga lexuesit e gegërishtes së Pater Zefit, nuk ka qenë një rastësi.


Për aftësitë gjuhësore dhe stilistikore të "Sagës", Ledi Shamku-Shkreli ka bërë një parathënie shteruese, duke u ndalur tek aspektet e formimit të idiolektit të At Zef Pllumit, asaj forme letrare dhe gjuhësore karakteristike e një individi.


Sa për këtë vetëdijësim gjuhësor, ajo shënon: "Kolegjiali e mandej frati Zef Pllumi, pati për habitat kulturor Kuvendin Françeskan, thënë ndryshe, akademinë supreme të mendimit gjuhësor, truall i cili ushqeu me mendjen e vet edhe mendjet më të mbara të gjuhësisë sonë progresiste.


Sa i takon shqipes, ai u gjend mes dy shkollash të ndryshme mendimi, mes atyre që vinin nga shkollimi i traditës austro-hungare të Bosnjes, si Gjeçovi, Bardhi, Fishta, etj., e që tërhiqnin për nga një gjuhë më burimore, dhe mes atyre si Rrota e Dema, që vinin drejtpërdrejt nga shkollat austriake e që i jepnin më shumë peshë normalizimit dhe gramatikëzimit.


Pas viteve '90-të, i mbetur i mbrami ndër ta, ai i ndërthuri sa mundi këto dy shkolla, duke përcaktuar kësisoj qysh në fillim brenda vetes edhe tiparet e stadit final që do të kish pas idiolekti i tij".


Shkreli e ka pajisur me shënime dhe e ka redaktuar "Sagën e fëmijnisë". Ajo është njohëse e mirë e veprës së shkruar të Pater Zefit. Prandaj, botimin e "Sagës" e ka shoqëruar me një aparat konceptual e shpjegues të përshtatshëm gjuhësor.


Në këtë mënyrë, ajo ka rizbuluar ato që përbëjnë vlerë në veprën e pater Zefit dhe i ka paraprirë njohjes fragmentare të kësaj figure, sepse fatkeqësisht, në mënyrë fragmentare, vazhdojnë të njihen paraardhësit dhe mësuesit e tij.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›