E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen grabitësit e Kishave dhe banesave

Gëzim Ymer e Totila Koçi, akuzohen për vjedhjen e kishave të Kavajës, Elbasanit e Divjakës dhe banesave të ndryshme

Të arrestuarit dyshohen për disa vjedhje në Tiranë dhe rrethe të tjera, ndërsa rezultojnë me precedentë penalë


TIRANË - Dyshohen si autorë të vjedhjes së disa kishave në vend, ndërsa policia iu zbulon edhe vjedhjet e disa banesave.


Gëzim Ymeri, 36 vjeç banor i kryeqytetit dhe Totila Koçi, 31 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, u arrestuan gjatë ditës së djeshme nga blutë e Komisariatit të Kavajës, në bashkëpunim me Seksionin Kundër Vjedhjeve me Dhunë dhe Shkatërrimit të Pronës, në Policinë e Tiranës.


Të arrestuarit të cilët kanë qenë persona të dënuar më parë, dyshohen se kanë grabitur disa Kisha të ndodhura në Elbasan , Kavajë dhe Divjakë.


Të arrestuarit Gëzim Ymeri dhe Totila Koçi, sipas policisë, dyshohet të jenë autorë të vjedhjes së Kishave në qytetin e Divjakës, të fshatit Kreth e Kryefidh të Kavajës, Kishës së Shën Thanasit në Elbasan.


Sipas informacioneve zyrtare të policisë, dy të ndaluarit, nuk janë të përfshirë vetëm në vjedhjen e Kishave, por janë të dyshuar nga policia dhe si autorë të disa vjedhjeve të tjera të ndodhura në qytete të ndryshme të vendit.


Sipas policisë, dy të arrestuarit dyshohet të jenë autorë të disa vjedhjeve që nuk i kanë kryer vetëm në qytet të vetëm, por në rrethet Devoll, Librazhd, Elbasan, Kavajë dhe Lushnje.


Specialistët e Seksionit Kundër Vjedhjeve, në Policinë e Tiranës, kanë vërtetuar se dy personat e arrestuar kanë kryer disa vjedhje në banesa, në dyqane, si dhe në disa institucione fetare.


Burimet nga Policia deklarojnë se Ymeri dhe Koçi dyshohet se kanë kryer dhe vjedhje të bagëtive në Divjakë dhe në Kavajë, por sipas policisë, dyshohet se të ndaluarit janë të përfshirë edhe në vjedhjen e bagëtive në fshatrat ku kryenin vjedhjet e banesave, të ndodhura gjatë dy javëve të para të muajit maj.


Policia e këtij qyteti prej kohësh po hetonte për aktivitetin dhe vendndodhjen e dy të arrestuarve, pasi Gëzim Ymeri ishte person i shpallur në kërkim nga policia e Lushnjes, me akuzën e vjedhjes së kryer në bashkëpunim.


Burimet zyrtare nga Policia e kryeqytetit pohojnë se 36- vjeçari Ymeri ka qenë edhe më parë i dënuar po për vjedhje të kryer në bashkëpunim. I arrestuari tjetër, Totila Koçi ka qenë i dënuar nga gjykata për veprën penale të pjesëmarrjes në bandat e armatosura. Hetuesit po punojnë për të vërtetuar nëse dy të arrestuarit janë të përfshirë në vjedhjen e disa institucioneve të tjera fetare, vjedhje këto të ndodhura në muajit e fundit.


Sipas policisë, vjedhjet për të cilat dyshohen se janë kryer nga dy të arrestuarit nuk janë kryer në një kohë të largët, por bëhet fjalë të kenë ndodhur në javët e fundit.


Prokuroria e Kavajës i akuzon dy të arrestuarit për vjedhje të kryer në bashkëpunim dhe pas përfundimit të hetimeve do të përgjigjen për disa vjedhje të kryera në bashkëpunim me njëri - tjetrin.


Gëzim Ymeri do t'i dorëzohet Komisariatit të Policisë së Lushnjes, i cili ishte shpallur në kërkim nga ky komisariat që më 3 maj të këtij viti për vjedhjet e kryera në territorin përkatës.

----------------------------------------------------------------------------------------------

Sokol Prelës i është komunikuar në burgun 302 dënimi me 16 vite burg për vrasje

Ekstradohet nga Italia i dënuari për vrasje

TIRANË - Pas ekstradimit nga Italia, policia e Tiranës, i komunikon të dënuarit me 16 vjet burg për veprën penale të vrasjes arrestin në qelitë e burgut 302. Sokol Prela ( Prroni), 27 vjeç, me banim në qytetin e Shkodrës mëngjesin e djeshëm ka mbërritur në burgun e sigurisë së lartë të kryeqytetit, për të kryer dënimin që ka marrë për akuzën e vrasjes, pas ekstradimit të tij nga Italia, ku ishte arrestuar si i shpallur në kërkim me akuzën e vrasjes në bashkëpunim. Ndalimi i tij është bërë pas një urdhri arresti të lëshuar nga Prokuroria e Tiranës ndaj 27- vjeçarit.


Gjykata e Tiranës e ka dënuar më 3 dhjetor të viti 2004 Prronin me 16 vjet heqje lirie me akuzën e vrasjes me paramendim dhe armëmbajtjes pa leje. Vrasja për të cilën është dënuar i ekstraduari nga Italia ka ndodhur në vitin 2002 në Qytetin Studenti.


Sokol Prela (Prroni) ka qëlluar me armë zjarri për vdekje Gëzim Koren, ku pas krimit arrin që të largohet dhe t'i shmanget policisë, duke kaluar dhe jashtë Shqipërisë, tek të afërmit e tij në shtetin fqinj, në Itali.


Pas informacioneve për vendndodhjen e të kërkuarit, Interpol Tirana i ka dërguar një kërkesë Interpol Romës, për ekstradimin e të dënuarit për vrasje, që është arrestuar në Itali nga Policia e Firences. Për një kohë të gjatë i kërkuari për vrasje i ka shpëtuar autoriteteve të drejtësisë dhe policisë në Shqipëri, duke u strehuar tek të afërmit e tij në shtetin fqinj.


Por pas informacioneve që ka dërguar Policia Shqiptare në drejtim të Interpol Romës, është bërë i mundur dhe arrestimi autorit të vrasjes së ndodhur në vitin 2002. Pas kërkesës së bërë nga Interpol Tirana, është vendosur që Sokol Prela (Prroni) të vuajë dënimin e mbetur në Shqipëri. Me ekstradimin në Shqipëri, 27- vjeçari nga qyteti verior duhet të kryejë dënimin e mbetur në një nga burgjet sigurisë së lartë në vend.


TIRANË
Gjurmët zbulojnë vjedhjet e dy të burgosurve


Ndodhen të arrestuar për një vepër penale, por policia i identifikon si autorë të disa ngjarjeve të tjera. Sipas informacioneve zyrtare nga Policia e Tiranës, Amarildo Ranxha, Kevin Ranxha dhe Luis Vangjeli, të tre banorë të Elbasanit, janë të dyshuar si autorë të vjedhjes së një automjeti në kryeqytet, ngjarje kjo e ndodhur që në muajin prill të këtij viti.


Pas denoncimit nga një banore e Tiranës, policia ka filluar hetimet duke akuzuar tre personat e mësipërm si autorë të vjedhjes së makinës tip 'For Fiesta". Por policia ka dokumentuar me prova ligjore dhe një tjetër vjedhje që dyshohet ta kenë kryer në bashkëpunim personat e mësipërm.


Sipas Policisë së kryeqytetit, më datë 18 prill të këtij viti, tre të ndaluarit kanë tentuar që të grabisin nën kërcënimin e armës në Rrugën e "Kavajës" një pikë e këmbimit valutor, ku ka mbetur e plagosur pronarja e kësaj pike.


Tre personat e dyshuar si autorë të këtyre vjedhjeve ndodhen në masën e sigurisë "arrest me burg" për veprën penale të vjedhjes me armë me pasojë vdekjen e një personi e kryer në bashkëpunim.


TIRANË


Plagosën një person me sende të forta, në kërkim dy persona


Dy të rinj godasin me grushta dhe sende të forta një qytetar dhe shpallen në kërkim nga policia. Pas një konflikti për motive të dobëta dy persona kanë plagosur një person, i cili pas konfliktit ka kallëzuar në polici dy të rinjtë.


Pas kallëzimit Komisariati i Policisë Nr. 1 në bazë të informacioneve që ka marrë ka arritur që të identifikojë dy agresorët. Sipas policisë Klodian Kashari, 20 vjeç dhe Adnand Agolli 18 vjeç, të dy banorë të Qytetit Studenti, dyshohen nga policia si autorë që kanë goditur me sende të forta një shtetas, duke e lënë të plagosur.


Policia nuk bën të ditur emrin e të dëmtuarit, por nga dëshmitë që ai ka dhënë për blutë e kryeqytetit, ka deklaruar se pasi dy të rinjtë e kanë goditur janë larguar menjëherë. Të të kërkuarit akuzohen nga policia për veprën penale të mbajtjes pa leje të armëve të ftohta dhe të dëmtimeve të tjera me dashje.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›