E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

The Economist: Shqipëria bën përmirësim në Indeksin e Demokracisë për të tretin vit radhazi!

Shqipëria është vlerësuar si një nga 10 performuesit më të mirë në Indeksin e Demokracisë së vitit 2022, njofton The Economist.

Shqipëria renditet në vendin e 64 nga vendi i 68, që ishte në vitin 2021 dhe 71 në 2020-n, me 6.41 pikë. 

Më mirë në rajon vijon të mbetet Mali i Zi në vendin e 61 (i pandryshuar).

Përkeqësim ka shënuar Serbia, që ka zbritur në vendin e 68 (-5). 

Maqedonia është përmirësuar me një pikë, duke u ngjitur në vendin e 71. Demokracinë më të ulët në rajon e ka Bosnjë-Hercegovina, në vendin e 97.

Kosova nuk përfshihet në këtë renditje.

Indeksi i Demokracisë bazohet në pesë kategori: procesi zgjedhor dhe pluralizmi, funksionimi i qeverisë, pjesëmarrja politike, kultura politike dhe liritë civile.

Bazuar në rezultatet e tij në një gamë të indikatorëve brenda këtyre kategorive, secili vend më pas klasifikohet si një nga katër llojet e regjimit: “demokraci e plotë”, “demokraci me probleme”, “regjim hibrid” ose “regjim autoritar”.

Në 2021, Sjqipëria hyri për herë të parë në grupin e dytë të vendeve të ashtuquajtura demokraci me probleme (ku zgjedhjet janë të lira dhe ka të drejta civile, por ka probleme si liria e medias apo ndrydhja e opozitës dhe krizës).

Më herët, Shqipëria renditej në grupin e tretë të vendeve me demokraci hibride (kombinim i regjimit politik që shpesh krijohet si rezultat i një kalimi jo të plotë nga një regjim autoritar në një regjim demokratik). Grupi i parë është ai i demokracisë së plotë dhe i katërti i ai autoritar.

Në vitin 2022, rezultatin më të lartë Shqipëria e ka në treguesin e lirive civile me 7.35 pikë.

Treguesi i dytë me pikëzimin më të lartë është procesi zgjedhor dhe pluralizimi (7 pikë), i ndjekur nga funksionimi i qeverisë (6.43) dhe kultura politike (6.25).

Treguesi me rezultatin më të dobët është ai i pjesëmarrjes politike, me vetëm 5 pikë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›