Kuvendi i rrëzon kërkesën për mocion me debat për çështjen McGonigal, Rithemelimi bllokon foltoren: Rama të merret nën hetim

Ka nisur me tensione dhe debate seanca e sotme (2 shkurt) plenare, lidhur me kërkesën e grupimit të Sali Berishës për mocion me debat me Kryeministrin Edi Rama për çështjen McGonigal. Deputeti demokrat Luçiano Boçi ka kërkuar marrjen nën hetim të Kryeministri Edi Rama, pasi sipas tij, ka korruptuar një prej niveleve më të larta të FBI-së, Charles McGonigal. Boçi thekson dorëheqja e Ramës është akti më i pakët që mund të bëhet pas cënimit që i është bërë interesave kombëtare.
“Bëni aktin, vazhdimin e skenarit për eleminimin e opozitës. Është e njëjta, mënyrë, formë. Nëse Rama paguar agjentë të FBI, korrupton ata, edhe ky parlament është i korruptuar pas kërcënimeve dhe dhunës që ushtrohet për të na hequr fjalën. Kërkesa jonë, mocion me debat me autorin e krimit të eleminimit të opozitës, akt tradhëtie, kombëtare. Rama kërkon eleminimin e sistemit politik, dekomratik dhe kërkon vendosjene e regjimit duke eleminuar opozitën. I vetmi kryeministër që korrupton kryeministra”, tha Boçi.
Por pas këtyre akuzave, kryeparlamentarja Lindita Nikolla dha urdhër për fikjen e mikrofonit të deputetit, pasi sipas saj, deklarata e tij, nuk kishte lidhje me procedurën. Reagimi i opozitës ka qenë i menjëhershëm, duke bllokuar foltoren. Më tej, deputetit i është lejuar sërish fjala, duke deklaruar se Kryeministri Rama ka cenuar marrëdhëniet historike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, teksa theksoi se Rama duhet të dalë nga Kuvendi me pranga në duar.
“Kryeministër që korrupton, bota nuk ka njohur dhe ky është Rama. Ky kryeministër korrupton në dëm të interesave kombëtare. I vetmi kryeministër që ka cenuar marrëdhëniet historike mes Shqipërisë dhe SHBA. Për këtë gjë, duhet të vijë këtu dhe të dalë me pranga në duar nga ky parlament. Në grand juri, emri i këtij Kryeministri përmendet 14 herë, është i marrë nën hetim dhe në drejtësinë shqiptare duhet të ishte marrë i pandehur, është kapur duke korruptuar një prej figurave të inteligjencës amerikane.
Ku jeni ju, ku e keni kryeministrin? Pse se ngrini zërin? Parlamenti është i shqiptarëve. Ky është akti më anti-kombëtar. PD është aset kombëtar, pasuri e çdo shqiptare. Duhet të ngrihemi në këmbë për ta çuar atë njeri prapa hekurave. Dorëheqja është akti më i pakët”, tha Boçi.
Po ashtu edhe deputeti Gazment Bardhi i bëri thirrje kryetares së Kuvendit, Lindita Nikollës që të mos miratojë procesverbalin e seancës së sotme, por t’i jepet e drejta opozitës të diskutojë.
“Vetëm nga frika që kryeministri juaj të përballej me opozitën, i hoqët seancën e kaluar të drejtë e fjalës 54 deputetëve të opozitës. Sipas rregullores së Kuvendit, në rast se në seancë shkaktohet kaos, drejtuesi pezullon senacën, nëse kaosi vazhdon ndërpritet seanca dhe vazhdon rendi i ditës në seancën e radhës. Keni vrarë parlamentarizimin. Është përgjegjësia juaj, mos u bëni përgjegjëse për të mbrojtur Edi Ramën, mos e fshihni, silleni këtu. Mos e kalo proces verbalin, anulo ligjet e miratuara seancën ekaluar, të diskutojmë mbi ato ligje. Nuk mund të bëhet kjo”, tha Bardhi.
Pavarësisht pretendimeve të opozitës, Kuvendi miratoi proceverbalin, ndërsa kërkesa e opozitës për mocion me debat do të shqyrtohet në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve pas 3 ditësh.
/rtsh.al/