E Diel, 1 Nëntor 2026

The Voice of Albania nje leksion Fair Play per shqiptaret

Elert Yzeiri - Ndërsa të premten në mbrëmje ora nxitonte të kapërcente drejt të shtunës, unë qëndroja pa lëvizur përpara ekranit të televizorit, siç bëj çdo të premte prej plot 16 javësh. Ndjek me një vëmendje të madhe dhe me shumë pasion spektaklin ‘The Voice of Albania’, padyshim spektakli televiziv më i mirë i realizuar në Shqipëri.

Sigurisht që është një format që “Top Channel” e ka importuar nga jashtë, duke blerë patentën e tij, por e ka stiluar aq bukur në shqip, sa nuk mund t’i rezistosh dot. Këtë të premte ishte gjysmëfinalja dhe emocionet ishin vërtet të mëdha. Më të mirët, ndoshta duke përfshirë edhe edicionin e parë të këtij spektakli duhet të përballeshin me njëri-tjetrin, për të nxjerrë 4 finalistë, më saktë nga një për secilin trajner. Nuk e fsheh dot që jam tifoz me skuadrën e Sidritit, veçanërisht Lindin dhe Venerën. Për fat të keq të premten ata të dy duhet të sfidonin njëri-tjetrin. Një përballje e fortë dhe e pamëshirshme: njëri që këndon më bukur se tjetri! Por gara është garë dhe njëri duhej të largohej dhe Sidriti më njerëzor se kurrë, me zemrën e shkrirë nga zëri i mrekullueshëm i Lindit, zgjodhi potencën e Venerës. Të them të drejtën u trishtova për largimin e Lindit, edhe pse potenciali i Venerës meriton pa diskutim këtë finale. I preferuari im vazhdonte të qëndronte në skenë dhe të buzëqeshte ashtu thjesht dhe në mënyrë të sinqertë, duke folur me fjalë zemre: Është e mrekullueshme, është gati fundi dhe unë kam marrë aq shumë nga ky spektakël, sa nuk më mbetet hatri që nuk jam në finale!

Sa ëmbël më ka tingëlluar atë mbrëmje kjo fjali e thënë me aq sinqeritet nga ky djalosh i ri, të cilit nëna natyrë i ka falur një dhunti të jashtëzakonshme, familja e ka rritur me një edukatë shembullore dhe sot “Top Channel” i krijon mundësinë të jetë në qendër të vëmendjes, si një yll i muzikës dhe artit. Lindi është pjesë e një gjenerate të re shqiptarësh, që përgatiten të hedhin hapin e rëndësishëm të jetës, por që kanë nevojë për shumë përkujdesje, e këshilla të mira, sepse bota që i rrethon është vërtet e egër.

Dhe që nga ai moment shfaqjen e pashë përtej argëtimit, e pashë në një plan më të gjerë, shoqëror e mbi të gjitha njerëzor. Shumë të rinj të talentuar e të etur për sukses; përballë, mësues të mirëkualifikuar, që kërkojnë t’u mësojnë gjithçka të mirë nxënësve të tyre; rreth e qark qindra të rinj të pasionuar, e sigurisht edhe prindërit e tyre të emocionuar, që shikojnë që fëmijët t’u rriten e bëhen njerëz me vlera.

Pashë spektakël, pashë garë, pashë konkurrim të vërtetë. Pashë fitues me meritë, ashtu sikundër pashë dhe të sfiduar që e pranojnë dhe respektojnë fituesin. Pashë mesazhe të munguara të një qytetarie me vlera, që vetëm njerëz seriozë mund t’i ofrojnë në këto kohë. Vërtet pashë që Shqipëri ka ende mundësi, që nëpërmjet medias t’i përcjellim shoqërisë vlera që i kanë rrëmbyer grykësit.

Sepse në përgjithësi televizioni dhe media në Shqipëri janë vegla të politikës dhe e strukturave të tjera derivate, që zhurmojnë e ndjellin vetëm mllef frenetik, që nga fjalimet kilometrike të liderëve politikë dhe aktrimet e shpifura të qafirëve që rrotullohen poshtë tyre, deri te masturbimet e neveritshme të pronarëve të mediave, të cilëve kollaren në grykë ua ka lidhur politika që sot ka zaptuar shtetin.

Asnjëherë qëkurse janë ndryshuar sistemet politike nuk është folur për rininë shqiptare, se ç’të ardhme ajo duhet të ketë, si të mund ta ndihmojmë që ajo të zgjedhë rrugën e duhur, ta orientojmë drejt një të ardhmeje me vlera. Politikës shqiptare, e veçanërisht Kryeministrit, rinia i duhet vetëm nëpër fushata elektorale, si fasadë apo në podiume për të vjellë vrer për kundërshtarët politikë.

Çirren duke thënë se rinia është e ardhmja dhe lëvdohen se me politikën e tyre kanë bërë që të rinjtë shqiptarë të jenë përdoruesit më të mëdhenj të internetit dhe rrjeteve sociale. Po mund të jetë! Por me gjithë respektin që kam për këto stacione virtuale komunikimi, kjo është një rrugë parazitare për t’u kujdesur për të ardhmen e kësaj rinie. Po, po parazitare, sepse nuk kanë çfarë të mësojnë atje fshehur pas ekranit të kompjuterit, duke sharë e komentuar ndyrë, kudo dhe për këdo, stisur më së shumti edhe nga fryma politike që po imponohet së fundmi. E jo pak herë të rinjtë që nuk u ka dirsur ende mirë qimja në faqe, pas orëve të harxhuara më kot në internet, përfundojnë edhe me majën e ndonjë thike në gjoks.

Dhe këto do të ndodhin sepse Kryeministri dhe të gjithë pushtetarët e tjerë që kanë pasur mundësinë t’ia zënë për pak kohë karrigen, gjatë 20 viteve të fundit, asnjëherë nuk kanë bërë politika për të rinjtë dhe të ardhmen e tyre. Akoma edhe më ironik është fakti kur mendon se një nga prapashtesat e Ministrisë së Kulturës është fjala Rini. Them prapashtesë, pasi këta politika i ka larguar të rinjtë nga fushat e futbollit, pallatet e sportit, klasat sportive. Sepse në fakt nuk ka më klasa sportive, pallate e shtëpi pionieri, ku ata të mësojnë për muzikën, pikturën, baletin, artin. Nuk ka më konkurse letërsie, matematike apo fizike. Vërtet ju zotërinj politikanë shembët nocionet komuniste të fjalëve fatosa e pionierë, por nuk guxuat asnjëherë t’i zëvendësoni ato më fjalë të tjera. Dhe natyrshëm nëpër Shqipëri gjen më pak kampionë, piktorë, këngëtarë, balerinë, fizikanë apo nuk di çfarë tjetër hobi duhet të zgjedhin në moshën e tyre. Nuk mund të ketë garë e konkurrim, sepse ju i keni humbur vlerën ndershmërisë, zotërinj pushtetarë.

Sot nuk ka garë, sepse mami, babi, gjyshi apo vjehrra në pozitë të mirë, të shpëtojnë nga barra e garës apo konkurrimit dhe nëse shoku apo shoqja jote është më e mirë, më e talentuar apo më punëtore se ty është e destinuar të qëndrojë gjithnjë e dyta, pa bërë zë, se mund të ketë edhe pasoja. Dhe kjo hierarki merr formë të shtrembër pothuaj nga gjeneza, po, po, që në çerdhet e kopshtet, ku bëhen diferencime të turpshme, se ky apo ai është djali, nipi a mbesa e një njeriu me pozitë, a më keq akoma e një babai a nëne që ta mbush dorën me lekë.

Në këto 20 vitet e fundit nepotizmi i ka mbërthyer të gjitha shtigjet, e kudo vendoset sipas tarafit. Nuk bëhet më garë apo kampionat sportiv, pasi deputeti i zonës jo vetëm me staturën e postit politik, por edhe me tytën e armës të detyron të humbasësh, edhe pse ti mund të jesh më i mirë. Ministri të vendos kushte që kampionatin do ta fitojë skuadra e qytetit të tij, megjithëse një tjetër është skuadra më e mirë, ndaj nuk mbetet gjë veçse të mundet suksesshëm, sepse bosi apo sponsori i skuadrës kundërshtare do të ënjtet me gjoba nga tatimorët apo struktura të tjera shtetërore zhvatëse. Çmimin e parë në festival apo në konkurse të tjera artistike duhet ta fitojë patjetër mbesa apo dhëndri i preferuar. E kështu në të gjitha fushat, përfshi shkollën e shëndetin e qytetarëve.

Sot shumë të rinj stërviten si militantë, për t’u ndërsyer nesër nëpër tribuna politike, fshehur pas bukurisë natyrale apo makijazhit të tepruar, e të mbushur brenda vetes me një mllef diabolik, që makutëria politike ku ata janë rekrutuar, ja ka ngjizur pa dalë mirë në jetë. Ata stërviten ashpër, për të sharë e mallkuar, të gjallë e të vdekur, sepse çmenduria e liderëve në duar e të cilëve janë besuar kalon kufijtë e njerëzores.

Shumë të tjerë janë të ndrydhur e të frikësuar, se megjithëse mund të jenë shumë më të aftë apo të talentuar, nuk mund të ngjiten dot në podin e fituesit. Presidenti amerikan, Tomas Xheferson, thoshte: Unë kurrë nuk do të frikësohem se gjërat mund të shkojnë keq, përderisa ekziston një sens i përbashkët i një loje të ndershme. Lindi të premten në mbrëmje ma vërtetoi këtë thënie. “The Voice of Albania” gjithashtu ma ka risjellë në mendje, pasi për çdo të premte po vjen në shtëpitë e shqiptarëve si një shkollë, për të mësuar e kuptuar vlerat e vërteta, për të cilat ka nevojë rinia dhe shoqëria shqiptare. Sot mundësitë janë të mëdha për të gjithë. Gjithsecili ka mundësinë të marrë atë që meriton, duke respektuar veten dhe fituesin, sigurisht nëse luhet ndershëm.

Ndërsa të premten në mbrëmje ora nxitonte të kapërcente drejt të shtunës, unë qëndroja pa lëvizur përpara ekranit të televizorit. Me zemrën që po më shkrihej tek dëgjoja zërin e mrekullueshëm të Lindit shikoja atë buzëqeshjen e sinqertë të tij dhe përsëritja me vete atë fjali lapidar: Është mrekullueshme, është gati fundi dhe unë kam marrë aq shumë nga ky spektakël, sa nuk më mbetet hatri që nuk jam në finale!

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›