E Shtunë, 31 Tetor 2026

"The Wall Street Journal"

Po bëhen afro dy muaj që kur KE publikoi Raport-Progresin e tij me adresim shtetet aspirante të Ballkanit Perëndimor, për anëtarësimin e tyre në komunitetin mbikombëtar të Bashkimit Europian. Dihet tashmë nga të gjithë që në këtë Raport Shqipërisë iu dha nota negative dhe për këtë arsye nuk iu akordua statusi i vendit kandidat për të dytin vit radhazi, duke e diferencuar atë, veç të tjerash, edhe nga dhënia e granteve shumëmilionëshe aq të domosdoshme për jetën tonë të varfër. Këtë stepje të Brukselit brenda vendit disa e konsiderojnë të motivuar nga kriza ekonomike globale dhe veçanërisht nga ajo që ka kapluar Eurozonën. Të tjerë, midis tyre edhe vet Kryeministri Berisha, duke deklaruar me terma të përgjithshme, se përgjegjësia duhet kërkuar jo jashtë, por brenda vendit, këtë përgjegjësi kërkojnë t'ia lë në derë opozitës politike shqiptare, që na pengokërka integrimin europian të vendit nëpërmjet mosvotimit të disa ligjeve të rëndësishme, të cilat kërkojnë miratimin në Kuvend me 3/5 - at e votave të të gjithë deputetëve tanë.
Kështu, ende nuk po ndjehet një reflektim i qartë dhe i plotë ndaj vlerësimeve dhe rekomandimeve të Raport - Progresit 2011 të Komisionit Europian, që mund të konsiderohet si pikë themelore referimi për politikën dhe institucionet shqiptare. Sepse, vërtet që opozita ka pasur përgjegjësinë e saj në tërë këtë prapambetje kombëtare, por sigurisht që më së shumti përgjegjësitë bien mbi Qeverinë dhe maxhorancën parlamentare, të cilat kanë ushtruar trysni uzurpuese mbi të gjithë veprimtarinë shumëplanëshe në vend, duke e ngushtuar këtë në terrene izoluese, duke e kthyer në kuota negative. Sepse, vërtet që miratimi i ligjeve të rëndësishme është një detyrë që i takon edhe opozitës, por njëkohësisht duke u përmbushur edhe opsionet e saj dobiprurëse në përmirësimin dhe zbatimin e legjislacionit. Sidoqoftë, ato përbëjnë konkretisht vetëm një nga 12 kriteret në fushën politike të përcaktuara nga Brukseli, për t'u përmbushur gjerësisht si kushte avancuese në procesin e integrimit. Dhe të gjitha këto kritere si detyrime të pandashme dhe tërësore, u takojnë për t'u vlerësuar seriozisht dhe aplikuar denjësisht të gjithë aktorëve të vendit. Më së pari, të maxhorancës kuvendore dhe Qeverisë, të cilave që në fillim të këtij sesioni parlamentar u është bërë thirrje nga ndërkombëtarët të krijojnë hapësirat e nevojshme për zhvillimin e demokracisë dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Për rrjedhojë, konstatimet e Raport - Progresit 2011 përbëjnë pa dyshim një diagnozë objektive për gjendjen aktuale të Shqipërisë. Dhe vetëm mbi këtë bazë mund të përgatiten dhe të përdoren 'ilaçet' efikase për shëndoshjen e kësaj gjendjeje. Në këtë kuadër le të ndalemi këtu vetëm te një nga indet kyçe, që njëherazi është edhe një nga prioritetet kryesore të opinionit të KE - së: fillimin e reformimit tërësor të sistemit të drejtësisë, për të realizuar progresin e kërkuar në këtë fushë. Konkretisht është folur dhe bërë thirrje disa herë për hartimin dhe miratimin nga Kuvendi i Shqipërisë e një plan veprimi për Drejtësinë, si strategji gjithëpërfshirëse për garantimin e një qasjeje europiane të sistemit gjyqësor, çka përfshin edhe përcaktimin e detyrimeve përkatëse për miratimin në një klimë konsensuale të të gjitha projektligjeve që ndikojnë në realizimin e reformave në këtë fushë. Por, deri më sot thirrja ka rënë në vesh të shurdhër. Tashmë kur koha nuk pret dhe është bërë e qartë një herë e mirë që perspektiva e vendit rrezikohet prej parcializmit dhe interesave klanore, nga opozita paraqitet zyrtarisht në Parlament një listë çështjesh dhe afatesh për t'u shqyrtuar e përmbushur nga e gjithë trupa legjislative. Por, për të shmangur subjektivizmat e paarsyeshëm dhe pozicionet e ngushta politike, apo edhe trysninë qeveritare, përpara se ato t'i nënshtrohen diskutimeve obstruksioniste duket me vend ngritja pa vonesë e një komisioni të posaçëm "ad hoc", funksionimi i të cilit të kanalizohet përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, duke marrë në konsideratë edhe grupet e interesit e shoqërinë civile.
Në këtë rrafsh merr vlerë të padiskutueshme përcaktimi dhe zbatimi i një sërë masash ligjore dhe institucionale, për të forcuar përgjegjshmërinë dhe efikasitetin e institucioneve të drejtësisë. Këtij drejtimi i përket, për shembull, konsolidimi i sistemit të karrierës, që nuk do të lejonte abuzimet e çfarëdollojshme të vërejtura pa pasur nevojën e një lupe. Gjithashtu, mund të kërkohet zbatimi efikas i një sistemi të ri vlerësimi për gjyqtarët dhe prokurorët, përfshirë trajtimin profesional dhe verifikimin e aftësive të tyre në cilësinë e vendimeve përkatëse. I kësaj rëndësie është natyrisht ngritja e një sistemi funksional të plotë, të harmonizuar dhe të integruar të menaxhimit të çështjeve në të gjitha gjykatat, pa përjashtuar as përpjekjet për shmangien e zvarritjeve të proceseve hetimore dhe gjyqësore.
Ndërkohë që, ajo çka me të drejtë rekomandohet në Raport - Progresin e KE është forcimi i integritetit dhe paanshmërisë së institucioneve ku tashmë erdhi koha të qëmtohet me kujdes dhe të kërkohet me progres nëpërmjet masave të qarta dhe të sakta, të cilat do të mund të përcaktonin edhe përgjegjësitë individuale për shkelje të rënda në këtë drejtim. Por, për të mundësuar të gjitha këto nuk mund të lihet jashtë vëmendjes as pavarësia financiare e gjykatave dhe e organit të prokurorisë, përmes vendosjes së një standardi detyrues në buxhetin e shtetit, për fuqizimin e kapaciteteve njerëzore dhe infrastrukturore. Dhe, jo siç është vepruar deri tani, kur edhe në projektbuxhetin e vitit 2012, që Kryeministri s'lë ditë pa trumbetuar që gjoja qenka më i madhi në historinë e Shqipërisë, u hiqet vizë mjaft shumave të nevojshme për funksionimin normal të institucioneve të kësaj fushe.
Nga kjo optikë, pamja e së cilës është edhe më e gjerë se sa u shënua më sipër, domosdo që dalin përpara detyrat për t'i shpallur luftë të hapur kulturës së pandëshkueshmërisë në të gjitha nivelet, kulturë regresiste që gërryen themelet e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Prandaj është e arsyeshme kërkesa, sipas së cilës me krijimin e një komisioni parlamentar të përkohshëm të shqyrtohen pa hezitim propozimet e bëra nga Bashkimi Europian dhe nga Këshilli i Europës për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë, si: ministra, deputetë, gjyqtarë, funksionarë të institucioneve qendrore etj. Sigurisht, edhe me ndihmën e ekspertizës së kualifikuar ndërkombëtare dhe vendëse, duke mbajtur parasysh gjithashtu opinionin e shprehur për këtë çështje nga Komisioni i Venecias. Do të ishte e drejta dhe detyra e këtij komisioni që të paraqiste në Kuvend sa më parë propozimet e nevojshme për ndryshime kushtetuese dhe ligjore, të cilat do të inkuadroheshin sigurisht si pjesë integrale e një reforme për forcimin real të pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së institucioneve ligjzbatuese.
Gjithashtu progresi në këtë drejtim përfshin edhe adresimin e prioriteteve kyç në konsekuencën dhe forcimin e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si edhe zbatimin pa mëdyshje të politikave mosdiskriminuese, veçanërisht për mbrojtjen e fëmijëve, që bëhen viktima dhe dëshmitarë të krimit. Madje, edhe të atyre që kryejnë vepra penale kur ende nuk kanë mbushur moshën e përgjegjësisë ligjore, çka megjithatë do të kërkonte aplikimin prej shtetit të programeve intensive të karakterit edukues, sikurse funksionimin me kapacitete dhe mbështetje të plotë të institucioneve të parashikuara në ligjin "Për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve". Dhe jo të vazhdohet më pajtimi me situatën mjeruese të kësaj shtrese vulnerabël të shoqërisë, dhjetëra e dhjetëra individë të së cilës trajtohen çdo vit në mënyrë alarmante, deri te ushtrimi i dhunës ndaj tyre në birucat e komisariateve të policisë së shtetit dhe më tej akoma te vendet e paraburgimit apo në mjediset e burgjeve, ku më së shumti të miturit strehohen së bashku me të dënuar për krime të rënda. Pra, masat shtesë të sanksionuara edhe në legjislacionin penal, nuk mund t'u lihen kalandrave greke për t'u ndërmarrë, krahas ndëshkimit të ashpër të të gjithë atyre punonjësve që ushtrojnë represion degradues për fizikun dhe psikikën e të miturve.
Mund të ketë edhe disa çështje të tjera të rëndësishme, si reforma në fushën e pronësisë, apo për sigurimin e mbrojtjes së të dhënave personale etj, që meritojnë të përshtaten nëpërmjet përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë europian. Por, e rëndësishme është që për zgjidhjen e mundshme pozitive të të gjitha këtyre problemeve të tregohet një vullnet i paepur, në radhë të parë nga forcat dhe aktorët kryesorë për t'u angazhuar në një proces politik, parlamentar dhe institucional, efektet e të cilit do t'u jepnin shqiptarëve një tjetër shans për integrimin e tyre në civilizimin e familjes së madhe europiane.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›