E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letërsia dhe censura e dyfishtë

14-11-2011 / Nga Ilirian Dahri

Ditare të ditëve të Pranverës arabe, që flasin për ditët kur luftohej kundër diktaturave të vendeve arabe dhe rënies së tyre. Tashmë botohen edhe në perëndim. Flitet se ka edhe ese me të njëjtën përmbajtje. Gjithsesi tashmë po botohen. Sidomos në Itali ku deri tani janë botuar dhjetëra libra për të cilët tashmë po flitet shumë. Nuk flitet akoma për një letërsi të mirëfilltë sepse ndoshta për të arritur tek letërsia duhet të kalojë ende dhe pak kohë por gjithsesi për botimet italiane flitet se kjo lloj letërsie po pritet shumë mirë. E tregojnë edhe shifrat. Në vitin 2009 janë përkthyer dhe botuar 12 tituj dhe e njëjta shifër është edhe për 2010, ndërsa këtë vit kanë dalë në botim 20 prej tyre dhe pritet që të botohen të tjerë akoma. “Nëse e trajtojmë letërsinë arabe si të tjerat, duke menduar se duhet të jetë një letërsi e pëlqyeshme, ky fenomen do të jetë i gjatë” - nënvizon E. Bartuli, një prej përkthyesve më të shquara të letërsisë arabe, duke vazhduar - “Nëse tregu kërkon të shfrytëzojë valën e Pranverës me zgjedhje sipërfaqësore të shtëpive botuese dhe me përkthime të shpejta ndoshta interesi mund të bjerë akoma”. Ky është një problem i kahershëm në botimet mbi letërsinë arabe. Sipas Elisabeta Bartulit nga 225 tekste që janë botuar që prej vitit 1944, 53 përkthyes kanë punuar në një tekst arab ndërsa 15 të tjerë kanë përkthyer vetëm dy. “Prej spanjishtes mesatarisht një përkthyes punon me 60 tituj. Por përkthimi i parë nuk është kurrë më i miri”. Duke veçuar letërsinë izraelite letërsia arabe nuk ka pasur një sukses të rëndësishëm në vendet e Bashkimit europian. Madje në Itali, 225 romanet e përkthyer nga arabishtja në rreth 67 vite nuk kanë qenë diçka e rrallë duke marrë parasysh faktin se deri në vitin 1988 ishin vetëm 12. Sepse ai vit ishte viti i të parit dhe të vetmit nobelist të Lindjes së Mesme për letërsinë (egjiptiani Naxhib Mahfouz). Që prej atij viti interesi është shtuar jo vetëm në Itali por edhe në vende të tjera të Europës madje në vitin 2005 në Panairin e Frankfurtit ju kushtua një rëndësi e veçantë letërsisë arabe. Një letërsi që gjithsesi nuk ka filluar natyrisht me protestat e para në Tunizi kundër regjimit apo edhe me ato që ndodhën në vendet e tjera. Shkrimtarët arabë kanë rrëfyer shqetësimet e shoqërive të tyre shpeshherë duke sfiduar regjimet e vendeve përkatëse duke devijuar në të njëjtën kohë çensurën e diktaturave. Tani pothuajse janë në modë. “Në të vërtetë është akoma shpejt për të regjistruar efektet reale të tregut të librit. Natyrisht ka patur një interes në shtyp dhe kjo mund të ketë pasojat e saj” – shkruan një botuese që ka botuar letërsi ararbe përpara se të fillonte Pranvera arabe. Por edhe kjo shtëpi botuese në fund të vitit 2008 kishte botuar më së shumti libra që përktheheshin nga anglishtja. “Kërkojmë autorë të rinj dhe bashkëkohorë që dalin nga stereotipet e letërsisë arabe; që nuk tregojnë vetëm për protagonistët e Pranverës arabe por edhe për personazhet periferikë të saj” – shpjegon Kampanelli. Por duket se vështirësitë janë të shumta. Në Lindjen e Mesme libri është një prodhim i kushtueshëm dhe shpeshherë gërshetohet edhe me politikën. Flitet se një libër i botuar në Liban, në kryeqendrën e botuesve të rajonit, nuk gjendet lehtë në një qytet tjetër të rajonit. Sepse kushtojnë shumë dhe ka më shumë fotokopje  librash sesa vetë libra. Madje thuhet se autorët botohen dhe shiten vetëm në vendet e tyre pa gjetur një dalje në tregjet e vendeve fqinje. Pra jemi në një treg të vështirë që nuk ka shumë përhapje mes vetë vendeve arabe ku shpeshherë mungojnë edhe statistikat e këtij tregu. Si rrjedhojë edhe për shtëpitë e huaja botuese problemet rriten së tepërmi si pasojë edhe botimet në vendet perëndimore janë të pakta. Por një rol të veçantë ka luajtur dhe vazhdon ende të luajë çensura që aplikohet ende në këto vende ku ekzistojnë ende gjykatat ushtarake të shoqëruara edhe me çensurën e universiteteve islamike pa pëlqimin e të cilave asnjë nga veprat letrare nuk mund të hyjë në bibliotekat kombëtare të vendeve përkatëse. Çensura pra akoma në vitin 2011. Flitet se në Jordani mijëra kopje në anglisht të autobiografisë së mbretit Abdullah kanë qëndruar për javë të tëra nëpër dogana sepse mungonte vula e zyrës së censurës. Pritet një tjetër pranverë arabe kundër censurës?

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›