“Thellësisht i prekur prej surprizës…”/ Rama nderohet nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe

Kryeministri Edi Rama nderohet nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed bin Zayed al Nayan.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama shpreh falenderimet në adresë të Presidentit të i Emirateve të Bashkuara Arabe.
“Thellësisht i prekur prej surprizës së paimagjinueshme dhe nderimit të jashtëzakonshëm nga presidenti i emirateve të bashkuara, Sheikh Mohammed Bin Zayed Al Nayan
Akordimi i medaljes më të lartë të vendit mik, e cila mban emrin e themeluesit të Emirateve të Bashkuara, sheikut Zayed, është respekti dhe vlerësimi më i madh për një kryeministër shqiptar, që e mora përulësisht plot me krenari për Shqipërinë, e me mirënjohje të thellë për mikun e madh të shqiptarëve, lartësinë e tij Sheikh Mohammed Bin Zayed, si edhe për çdo shqiptar që ma ka besuar udhëheqjen dhe përfaqësimin e atdheut tonë të përbashkët”, shkruan Rama.
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe ku po merr pjesë në Javën e Qëndrueshmërisë “Abu Dhabi Sustainability Week 2026” (ADSW).
Ky forum ndërkombëtar bën bashkë kryetarë shtetesh dhe qeverish, liderë të biznesit dhe shoqërisë civile, për të diskutuar sfidat dhe perspektivat e zhvillimit të qëndrueshëm në nivel global.