E Diel, 1 Nëntor 2026

VIDEO/ Balluku në Fier: Do të kompensohen të gjithë banorët e prekur nga përmbytjet

Zv.kryeministrja Belinda Balluku, e shoqëruar nga Prefekti i Qarkut Fier, Anduel Xhindi, ka inspektuar nga afër situatën e rënduar nga përmbytjet në fshatin Hasturkas, në Libofshë.

Pas çarjes së argjinaturës nga prurjet e shumta të ujërave, janë përmbytur 20 banesa dhe toka bujqësore në këtë zonë.

Balluku tha se lumi Seman është tërhequr në shtratin e tij dhe se situata aktualisht është e stabilizuar.

“Evakuimi i të gjithë banorëve të zonës është realizuar plotësisht, dhe deri tani janë prekur rreth 20 banesa nga prania e ujit. Pjesë e operacionit ka qenë edhe shpëtimi i dy barinjve të zonës, të cilët janë gjetur dhe janë të sigurt”, u shpreh Balluku.

Ajo shtoi se situata është menaxhuar me profesionalizëm nga struktura të emergjencave civile, forcat e armatosura dhe të gjitha strukturat në terren

“Secili është në krye të detyrës dhe po punon për mbrojtjen e jetëve të qytetarëve”, tha Balluku.

Balluku gjithashtu njoftoi se janë marrë masa për të menaxhuar situatën në kaskadën e Devollit, me qëllim minimizimin e përmbytjeve dhe për të parandaluar pasojat më të rënda.

Ajo theksoi se do të punohet për vlerësimin e dëmeve dhe për të krijuar një plan për rindërtimin e zonave të prekura.

Ditën e djeshme, lumi Seman çau argjinaturën në disa segmente, veçanërisht në afërsi të fshatrave Ndërnënas dhe Hasturkas.

Si pasojë, uji ka përmbytur tokat bujqësore dhe disa banesa. Forcat e ushtrisë kanë ndihmuar në shpëtimin e 220 deleve nga zona e përmbytur, ndërkohë që më herët janë nxjerrë nga dy stalla 200 qengja.

Në terren janë të pranishme strukturat e emergjencave dhe autoritetet lokale që po monitorojnë situatën në kohë reale dhe po ndërmarrin masa për të minimizuar dëmet dhe për të siguruar mbështetje për banorët.

LEXO EDHE: 1 miliard lekë shtesë për Mbrojtjen Civile, investime dhe kompensime nga zjarret e përmbytjet

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›