E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thellohet përçarja mes PS dhe LSI

Kanë përdorur ironinë për t’iu përgjigjur kryetarit të PS, Edi Rama. Ka ndodhur kështu me zyrtarët e LSI. Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Zoti Petrit Vasili, e ka etiketuar Ramën si personazhin e Benit te filmi “Beni ecën vetë”, i cili këndonte me zë të lartë në pyll për të larguar frikën. “Deklaratat e Edi Ramës, ashtu si te filmi “Beni ecën vetë”, që këndonte këngë partizane në pyll për t'i dalë frika. Rama pa në Amerikë si bëhet opozitë dhe jo pazar si i tiji me Berishën. Megjithatë, për Lëvizjen Socialiste për Integrim, është fare e qartë se kryetari i radhës i PS edhe pas kësaj vizite nuk ka mësuar se si bëhet opozita e vërtetë, se si trajtohet kundërshtari politik”, - tha Vasili.

Për Sekretarin e Përgjithshëm të LSI, zotin Petrit Vasili, kjo gjendje shkaktohet, ngaqë për kryetarin e PS, Edi Rama, prioritet është aleanca me Berishën dhe jo me Shqipërinë që vuan berishizmin.

Por jo pak ironik ka qenë sërish qëndrimi i Edi Ramës në lidhje me bashkëpunimin me PS. Duke folur nga Denveri, ku ndodhet për të marrë pjesë në Konventën e Demokratëve të SHBA, Rama, i pyetur nëse do takohet me Metën tha: “Unë dëshiroj të mbetem te Konventa e demokratëve, te politika e re, të mbetemi te nevoja e madhe e njerëzve për të marrë në duar fatin e tyre, që nuk mund të jetë monopol, e përsëris, i një grushti politikanësh dhe mbi të gjitha më lejoni ta mbyll duke iu referuar atij bashkëqytetari që në një qark të Shqipërisë, duke marrë fjalën në një nga qindra takimet e “Dialogut me Shqipërinë”, tha: “për sa kohë ne do të presim që problemet tona t’i zgjidhin 5 gjela në Tiranë, pulat tona nuk do të bëjnë asnjë vezë.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›