E Diel, 1 Nëntor 2026

Vila 6, Berisha i fal Kosovës ndërtesën, pronë e familjes Resuli

Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, në shkurt të këtij viti, në prag të shpalljes së pavarësisë do të deklaronte, se shtetit të ri të Kosovës do i bëhej dhuratë dhe selia e ambasadës. Deri këtu duket se gjithçka është në rregull, pasi pavarësia e Kosovës është diçka shumë e rëndësishme për interesat mbarëkombëtare, përveç faktit se kryeministri Berisha ka harruar se Vila 6., që do i bëhet dhuratë shtetit të ri të Kosovës dhe ku aktualisht ndodhet përfaqësia e OSBE në Shqipëri, është pronë e familjes Resuli, së cilës i është njohur nga Komisioni i Kthimit të Pronave që në korrik të vitit 2007, dhe e regjistruar në Hipotekë. Pra, kryeministri Berisha po i fal shtetit të Kosovës një godinë që nuk është pronë e shtetit shqiptar dhe që tashmë është në proces gjyqësor.

Vendimi i parë

Në korrik të vitit 2007, AKKP, qarku Tiranë, i ka njohur pronësinë mbi truallin familjes Resuli me një sipërfaqe prej 1511 metrash katrorë. Me anë të këtij vendimi subjektit Ahmet Resuli i është njohur dhe e drejta e parablerjes dhe pas kësaj është bërë dhe regjistrimi në Hipotekë, gjë të cilën e vërteton dhe dokumenti i Hipotekës me numër regjistri 03, datë 04.01.2008. E tërë procedura e ndjekur deri këtu ka qenë ligjore dhe pronarëve të truallit iu është vënë në vend një padrejtësi e bërë që në vitin 1945, kur prona e Ahmet Resulit u konfiskua nga regjimi i atëhershëm komunist dhe u shndërrua në shtëpi banimi për ish-funksionarët e partisë së asaj kohe. Në bazë të ligjit dhe të detyrimit që ka shoqëria ndaj ish-pronarëve, funksionon dhe ligji për “Kthimin dhe Kompensimin e Pronës”, siç do të funksiononte në çdo shtet normal.

Procedura

Por pronarët do të mbeteshin të shokuar, kur kryeministri Sali Berisha, në një nga mbledhjet e qeverisë në shkurt të këtij viti, kur nuk kishin kaluar as dy muaj që ia kishte kthyer pronën familjes Resuli, do të deklaronte se shtetit të ri të Kosovës do i dhurohej Vila 6. Këtu shteti fillon dhe njëherë procedurat e shpronësimit me anë të Ministrisë së Jashtme. Me një letër drejtuar ish-drejtorit të AKKP së asaj kohe, Besnik Maho, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme i kërkon kësaj agjencie të hedhë poshtë vendimin e marrë në korrik dhe të gjejë një zgjidhje tjetër për pronarët. Me pak fjalë, shteti i kërkon një funksionari të tij të shkelë ligjin me të dyja këmbët, pasi kryeministri ka dhënë fjalën se do falë godinën që është pronë e dikujt tjetër. “Nisur nga sa më sipër, AKKP me vendimin e saj ka krijuar një problem me shtetin shqiptar, pasi ka komplikuar dhe vështirësuar procesin e mëtejshëm dhe dhënien me qira apo dhurimin e Vilës numër 6. Duke marrë parasysh që statusi juridik i Vilës 6 është i ndërlikuar, lutemi për mendimin dhe angazhimin tuaj për zgjidhjen e çështjes në fjalë”. Kjo shkresë i është dërguar ish-drejtorit Besnik Maho në mars të vitit 2008. Nga ana e tij, Maho duket se nuk ka pranuar të hedhë poshtë vendimin e marrë prej agjencisë së tij gjashtë muaj më parë. Kjo dhe për faktin se shtetit shqiptar i kishte mbaruar afati i ankimit prej 30 ditësh dhe në një rast të tillë, vendimi i AKKP automatikisht bëhet titull ekzekutiv dhe është një çështje që mund ta zgjidhë vetëm gjykata.

Drejtori i AKKP, nën presion shkel ligjin: Vila është e shtetit

Megjithatë, çështja nuk mbeti me aq. Ligjin që nuk pranoi ta shkelte paraardhësi i tij, duket se ka pranuar ta shkelë drejtori i ri, Tunxh Vatnikaj, i cili për “interesat e shtetit shqiptar” ka pranuar të shkelë ligjet e tij. Vendimi është marrë jo vonë, por para një muaji, dhe pas pesë muajsh që ka bërë ankimimin avokatura e shtetit. Kjo e fundit ankimimin për çështjen duhej ta bënte që në gusht të vitit 2007, por në atë kohë Berisha ende s’kishte dhënë deklaratën e tij për të falur godinën, pronë e familjes Resuli.

Vendimi i AKKP

Çdo gjyqtar, qoftë dhe ai më amatori, por që merr ndopak erë nga çështjet civile, në rast se do shihte vendimin e Vatnikajt, i cili duhet theksuar se këtë vendim e ka marrë nën trysninë e presionit, do të shihte se ligji është shkelur me të dyja këmbët. Që në fletën e parë të vendimit, datat janë jashtë afateve që parashikon ligji për ankimimet, brenda tridhjetë ditëve. Po ashtu, jashtë afatit është dhe koha e shqyrtimit “Avokatura e shtetit, Zyra Vendore Tiranë, me shkresën nr. 461 prot, datë 17.03.2008, ka paraqitur pranë AKKP ankim ndaj vendimit nr. 137, datë 02.07.2007, të ZRKKP qarku Tiranë, administruar nga AKKP me nr. 662, prot., datë 24.03.2008” thuhet në pjesën e parë të vendimit të firmosur nga drejtori i pronave. Pra, vendimi është marrë në shkurt të vitit 2007, ankimi është bërë në mars të vitit 2008, pra pas më shumë se një viti, dhe vendimi nga AKKP është marrë në korrik të vitit 2008. Për të gjitha këto, pra si për ankimin nga ana avokaturës së shtetit, ashtu dhe për shqyrtimin nga ana e AKKP ligji s’të lejon një afat më shumë se 30-ditor. Gjithsesi, duket se në këtë rast s’ka pyetur shumë kush për ligjin. AKKP e justifikon këtë fakt se avokatura e shtetit ka marrë njoftim nga ana e ZRKPP vetëm më datë 18 mars 2008, dhe në bazë të ligjit është në rregull me ankimimin e saj më datë 24 mars të po këtij viti. Më tej është marrë i plotë vendimi i ZRKKP dhe, megjithëse pranohet dhe nga vetë AKKP se trualli është i pronarëve, sërish thuhet se “një pjesë e ndërtesës është bërë nga shteti”, por harrohet se vlera e truallit prej 1150 metrash në zonën më të kërkuar në Tiranë e kalon dhjetë herë vlerën e ndërtesës dhe se në bazë të ligjit pronarët e truallit kanë të drejtën e parablerjes.

Ndërtesa

Çështja i ka kaluar gjykatës dhe për këtë pronarët i kanë dërguar letra të shpeshta qeverisë shqiptare, e cila s’ka denjuar as t’i kthejë përgjigje. Interesant është fakti se për çështjen në fjalë ka kthyer përgjigje dhe vetë kryetari i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, me anë të përfaqësuesit të tij, Dirk Lange, i cili shprehet se çështja e pronave është shumë e rëndësishme dhe nga ana e qeverisë shqiptare duhet parë me kujdes problemi. Çështja është në gjykatë, por sërish shteti shqiptar ka dërguar në selinë e ambasadës personat që merren me meremetimin e saj, për ta bërë gati për përfaqësuesit e Kosovës. Edhe kjo është një shkelje tjetër, pasi s’mund të merret asnjë veprim për këtë çështje pa përfunduar çështja, e cila, me sa duket, do i mbetet qeverisë kosovare për ta zgjidhur. Gjithsesi, në rast se pretendohet se gjykata është e pavarur, përfaqësisë kosovare shumë shpejt do i duhet të mbledhë plaçkat nga godina dhe të gjejë ambiente të tjera, veprim ky që do ishte jo vetëm një turp për qeverinë shqiptare, por do ishte dhe një shembull i keq se si në Shqipëri pa asnjë lloj tagri mund t’i merret prona tjetërkujt, vetëm se i kemi dhënë fjalën një shteti tjetër, sikur të qeveriseshim jo nga ligjet perëndimore, por nga ligjet në shtetet diktatoriale apo anarkike, ku shteti zapton ç’të mundë.

Historia, pinjollët e familjes Resuli, të përndjekur nga regjimi komunist

Por, le të sqarojmë dhe se cila është familja Resuli. Është me vend të theksojmë se pronarët legjitimë janë nga familjet më të persekutuara nga regjimi komunist. Familjet e tyre kanë kaluar më shumë se gjysmë shekulli kampeve të internimeve, burgjeve të regjimit komunist. Iu është sekuestruar çdo pronë, por siç shprehen ata vetë asnjë dhunë fizike apo morale nuk ka fshirë besimin në respektin e të drejtave themelore të njeriut, të drejta për të cilat paraardhësit e tyre qenë të gatshëm të sakrifikonin gjithçka, duke i lënë një kontribut sado modest këtij vendi. Pronarë në fjalë janë pinjollë të familjeve me tradita patriotike dhe të lidhura fort me çështjen kombëtare dhe Kosovën. Një prej tyre, patrioti Iljaz Pashë Dibra, themelues dhe drejtues Lidhjes së Prizrenit, Hamdi Ohri, një nga drejtuesit e luftërave dhe kryengritjeve të Kosovës kundër Serbisë, babai Mentor Çoku, një nga drejtuesit dhe ai të luftërave të Kosovës, si dhe lidhjes së shqiptarëve në emigrim gjatë gjithë regjimit komunist, gjithashtu organizatori kryesor i pritjes dhe sistemimit të refugjatëve shqiptarë në vitin 1990 në gjithë Italinë, organizimin e takimin e personaliteteve më të larta të vendit tonë mbas viti 1992 me drejtues të lartë të shteteve të ndryshme, si dhe dërgimin në Shqipëri të ndihmave pa fund nga shumë shtete të ndryshme. Rauf Fico, patriot, atdhetar dhe diplomat i shquar i viteve 1912 -1939, siç ka thënë dhe i madhi Faik Konica “Rauf Fico ishte shqiptar, kur nuk kishte Shqipëri”, i cili ka shërbyer me ndershmëri, patriotizëm, besnikëri e dinjitet kombit shqiptar në detyrat e vështira të ministrit të P. Jashtme, ministrit të Brendshëm dhe për vite të tëra si ambasador në shtetet më të rëndësishme të Evropës, duke mbajtur lart dinjitetin e Shqipërisë dhe Kosovës, të cilën ai e donte dhe punoi aq shumë për të. Populli kosovar kishte respekt të veçantë për të dhe e vlerësonte shumë për kontributin e tij për çështjen e madhe të Kosovës. Një nga thëniet e Rauf Ficos ka qenë: “Nëse një ditë do na hapni varret, do të na gjeni me gisht drejtuar nga Kosova”. Ahmet Resuli ka qenë deputet dhe organizator i Kongresit të Lushnjës

Të gjithë pinjollët e tyre gjithmonë kanë punuar dhe jetuar me dinjitet dhe mbas demokracisë kanë shërbyer dhe kontribuar për vendosjen e demokracisë së vërtetë dhe zbatimin e ligjeve demokratike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›